SHBA, hetime mbi fondacionin e republikanit Trump
Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut ka nisur një hetim mbi fondacionin e kandidatit presidencial Donald Trump për donacione të dyshimta.
Eric Schneiderman sqaroi se, zyra e tij kërkon të sigurohet se fondacioni i manjatit të pasurive të paluajtshme “po zbaton me përpikmëri ligjet e diktuara organizatave bamirëse në Nju Jork”.
Ekipi i Trumpit reagoi menjëherë, duke e cilësuar lëvizjen e demokratit Schneiderman si një “manovër prej simpatizanti politik”.
“Prokurori e ka mbyllur prej vitesh njërin sy për fondacionin Clinton”, u shpreh zëdhënësi i fushatës së kandidatit republikan, Jason Miller, që hetimin e përshkroi si një “tjetër goditje me porosi, të menduar vetëm për të shkëputur vëmendjen nga java e tmerrshme e Clintonit”.
Vet Schneiderman i sqaroi CNN-it shqetësimet që rrethojnë organizatën e Donald Trumpit.
“Kemi hetuar mbi këtë subjekt dhe kemi pasur korrespondencë me njerëzit atje. Nuk desha ta bëj të madhe e të mbaj ndonjë konferencë shtypi, por jemi duke verifikuar që të sigurohemi nëse fondacioni Trump i përmbahet ligjeve në fuqi”, tha Eric Schneiderman, kryeprokuror i Nju Jorkut.
Sipas mediave vendase, hetimi ka nisur të paktën që prej muajit qershor, kur u vu zyrtarisht në pikëpyetje donacioni i bërë në vitin 2013 një grupi që mbështeste Prokuroren e Përgjithshme republikane të Floridas, Pam Bondi.
Pagesa prej 25 mijë dollarësh ishte bërë në kohën kur zyra e Bondit po merrte në konsideratë – siç thuhet, – hapjen e një hetimi për mashtrim ndaj universitetit Trump. Hetimi në fjalë nuk u hap kurrë, edhe pse Bondi mohoi të ishte influencuar nga donacioni.
/ Top Channel