“SHBA-të bën presion për krijimin e Speciales, pritet të kushtoj 1 miliard euro”, ish-kryediplomati thërret në protestë

270
fresco

Asambleja e Përgjithshme në Këshillin e Evropës (KiE) në vitin 2011 miratoi një rezolutë bazuar në raportin e senatorit zviceran me emrin Dick Marty ku akuzoheshin krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për trafikim organesh të qenieve njerëzore.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, përmes një sërë cicërimash (thread) në llogarinë e tij në Twitter, ka renditur disa fakte për Gjykatën Speciale, duke kujtuar se 15 vjet më parë, Dick Marty, doli vullnetar për të shkruar një raport mbi “trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas tij, i bënë presion Kosovës që të krijojë një Gjykatë Speciale “për të pastruar retë nga lufta çlirimtare” dhe se ky mekanizëm tash pritet të kushtojë minimalisht 1 miliard euro.

“Dick Marty kishte një histori tiradesh [kritika të ashpra] anti-amerikane dhe ai ishte autor i një raporti tjetër të KiE-së për ‘bazat e zeza’ të CIA-s (duke thënë gabimisht baza e KFOR-it në Bondsteel në Kosovë ishte një ‘bazë e zezë’ e CIA-s)”, shkroi Selimi.

Ai më tej ka shkuar se përveç raportit të tij mbi të cilin është ngritur Gjykata Speciale, senatori zviceran Dick Marty kishte edhe histori të deklaratave kundër pavarësisë së Kosovës në peizazhin politik zviceran.

Gjykata Speciale, sipas ish-kryediplomatit kosovar, u promovua nga Perëndimi, me argumentin se duhet “parandaluar Rusinë të përdorë Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të krijuar një gjykatë të OKB-së”.

“Megjithatë, ky trup u tregua refuzues ndaj Kosovës. Ky organ asnjëherë nuk e ka përdorur emrin kushtetues të Republikës së Kosovës, asnjëherë nuk e përdor flamurin e Kosovës. Gjykata është mono-etnike pasi ndërkombëtarët që punojnë atje nuk dhanë asnjë indikacion për të ndjekur penalisht ndonjë krim nga qeveria serbe”, shtoi ai.

Ai ndër të tjera ka shkruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin nën presion nga administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, për të krijuar një lloj trupi që është brenda Kushtetutës së Kosovës, por me seli në Hagë të Holandës.

Selimi riktheu vëmendjen edhe te sondazhet e opinionit publik, ku shumica dërrmuese ishin deklaruar se nuk e pëlqejnë këtë trup dhe as e perceptojnë atë si të drejtë, ndërsa shtoi se edhe akademikët e drejtësisë pajtohen se gjykata “nuk i përgjigjet nevojave të popullit kosovar”, sepse “kërkon drejtësi për krimet e vetëm njërës palë”.

“Kjo është arsyeja pse shumë njerëz, përfshirë mua dhe familjarët e mi, do të protestojnë këtë të diel në ‘Marshin për Drejtësi’. Jo kundër drejtësisë, por drejtësi për të gjitha viktimat. Rrëfimi në aktakuza bazohet në narrativën serbe të luftës. Gjykata monoetnike nuk është drejtësi. Është një perversitet i drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com

Comments