Shkarkohet nga detyra kryeregjistruesi i Beratit/ Raporti i plotë i shkeljeve

154

 

KLSH-640x340

Arben Baxhia, kryetari i ZRPP-së Berat është shkarkuar nga detyra për shpërdorim detyre pas kallëzimit penal ndaj tij dhe disa punonjësve të tjerë nga Kontrolli i Lartë të Shtetit.

Shkarkimi është bërë nga Ministria e Drejtësisë pas raportit të KLSH të datës  9 shtator 2016 ku thuhet:

“Kanë kryer regjistrime të pasurive me sipërfaqe më tepër nga sa përcaktuar në Ligj, duke lëshuar çertifikata mbi këto pasuri. Kanë lejuar tjetërsimin e këtyre pasurive në 20 raste dhe kanë regjistruar 43626 m2 sipërfaqe tokë arë, pa patur aktin e marrjes së tokës në pronësi.”

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 189/1,  datë 12.02.2016,  ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Berat, për periudhën 01.01.2013- 31.12.2015. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 70, datë 29.06.2016, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 189/7, datë 30.06.2016.

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh, ndër të cilat më kryesoret janë:

1. Në 15 raste janë regjistruar 43626 m2 sipërfaqe, bazuar në Aktin e Marrjes së Tokës në përdorim,  që nuk përbëjnë titull pronësie, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a dhe pika 5 neni 45, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

2. Në 20 raste, janë kryer veprime tjetërsimi nëpërmjet transaksioneve mbi këto pasuri, si pjesëtim pasurie, bashkim pasurie, pa patur dokumentacionin ligjor për regjistrimin e pasurive.

3. Në 27 raste janë regjistruar pasuri të cilat nuk janë përfituar me Ligjin nr. 7501, datë 17.09.1991 “Për tokën”, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, germa ç pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

4. Në 5 raste janë regjistruar më tepër 9756 m2 ullishte se AMTP, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

5. Në 21 raste janë regjistruar pasuritë  me mangësi në dokumentacion si mungesa e vulave, nënshkrimeve nga Kryetari i Komisionit të Tokës në fshat, veprim në papajtueshmëri me nenin 25/a, të Ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe pika 1, të UKM nr. 2, datë 13.06.2013 “Për mënyrën e procedimit të organeve të administratës publike, për pasuritë e paluajtshme, të fituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)”.

6. Në 1 rast është bërë pa patur akt pronësie, regjistrimi i pasurisë truall me sipërfaqe 951 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 180 m2, veprim në papajtueshmëri me nenin 24/a, Ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994“Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar.

Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat për Regjistruesin e ZVRPP-së A.B., dy ish regjistruesit A.M. dhe F.P., për 7 ish-specialistë: A.ZH. ish-specialist i Regjistrimit Fillestar, R.A. ish-Përgjegjës i Regjistrimit dhe Hartografisë, O.G. ish-hartograf, A.M. ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit Fillestar, S.S. e J.D. ish-hartograf e L.E. ish-Specialist i Regjistrimit Fillestar si dhe për 5 specialistë Sh.D. hartograf, F. Rr. Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit e Hartografisë, Z.C. e E.Ç. juristë, dhe A.Gj. juriste (apo dhe persona të tjerë që mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve), për konsumim e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.

Comments