Shkatërrohen tabelat rrugore në Strugë

90

 

Pavarësisht punës të mirë që është bërë dy- tre vitet e fundit në drejtim të pajisjes së çdo rruge me sinjalistikë, është evidente që në disa nyje të Strugës mungon tërësisht sinjalistika rrugore, sidomos ajo vertikale, dukuri e cila është bërë e dukshme prej kohësh dhe po ngrihet me forcë si problem nga qytetarët dhe shoferët.

Moebel THEMA

Nga pushteti vendor për këtë situatë potencojnë se ata gjithnjë janë angazhuar në këtë drejtim, por pohojnë se kjo gjendje negative më shumë ka ardhur si pasojë e hajdutëve të hekurishteve, të cilët e vjedhin dhe i shesin tabelat treguese të qarkullimit rrugor për skrap në pikat e grumbullimit të hekurishteve si dhe keqbërësve me prapavijë etnike, njofton e përditshmja gazetë, KOHA.

Ndërkohë, ata që e vuajnë më shumë këtë gjendje janë ata që vijnë për herë të parë në Strugë, të cilët me vështirësi orientohen si rezultat i mungesës së sinjalistikës vertikale dhe për pasojë humbin minuta të tëra për arritur në destinacion. Komuna e Strugës pothuajse çdo vit ndan rreth 20 mijë euro nga buxheti i saj, mjete të cilat shkojnë vetëm për sinjalistikën rrugore .Gjithashtu tashmë është fakt i dijshëm, sidomos fenomeni që vërehet në vendbanimet dhe fshatrat maqedonase, ku edhe pse në mënyrë të përsëritur vendosen udhëtreguesit në gjuhën shqipe dhe maqedonase, ato brenda natës tërhiqen dhe shkatërrohen në pjesët ku figuron gjuha shqipe.

Shkatërrimet e kësaj natyre më shumë janë prezent në fshatrat apo lagjet ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit maqedonas në disa lagjet e qytetit, në fshatrat Llozhan, Podgoricë , Llabunishtë si dhe në vendbanime të tjera.

Ndërkohë kjo tendencë haset edhe në disa vendbanime shqiptare ku tashmë tabelat janë shkarravitur në pjesën ku figuron gjuha maqedonase. Për këtë dukuri nga pushteti vendor pohojnë se kanë njoftuar edhe policinë e Strugës, por deri tani, sipas tyre, nuk është proceduar askush për shkatërrimin dhe vjedhjen e tabelave njoftuese e shenjave të tjera të komunikacionit rrugor.

Comments