Shkon në 24 numri i të vdekurve nga tërmeti në Itali
Ka shkuar në 24 numri i të vdekurve nga tërmeti në Itali, bëjnë të ditur mediet nga atje. Tre tërmete të forta kanë goditur gjatë natës Italinë qendrore. I pari dhe më i forti me magnitudë 6.2 ballë i shkallës Rihter është regjistruar rreth orës 03:36 rreth dy km nga qyteti i Accumolit dhe 10 km nga Arquata del Tronto dhe Amatrice.
Kjo e fundit ka pasur dëme shumë serioze. Sipas oranews, kryetari i komunës thotë se ndërtesat e qytetit janë rrafshuar në tokë. Dëme të rënda edhe në Marche.
Të dhënat e para flasin për 24 viktima. Qytetet më të prekura nga tërmeti janë Accumoli, Amatrice, Posta dhe Arquata del Tronto.
Kryetari i kësaj komune ka thënë se shumë njerëz të tjerë janë të bllokuar nën gërmadha.
“Rrugët janë të bllokuara. Gjysma e qytetit është zhdukur”, ka thënë kryetari i kësaj komune, Sergio Pirozzi.
“Ka njerëz që janë të bllokuar nën gërmadha… Ka pasur rrëshqitje të dheut dhe ura mund të rrëzohet”, ka shtuar tutje ai.
Agjencia për Mbrojtje Civile në Itali ka thënë se tërmeti ishte “i rëndë” dhe ka pasur raportime për dëme edhe në zonat malore. Në Facebook është shkruar se në malin Gran Sasso një pjesë e madhe e shkëmbit është shembur gjatë tërmetit.
“Kemi lajme për të lënduar dhe për kolapsime të ndërtesave”, ka thënë kreu i kësaj agjencie, Frabrizio Curcio.