Shkupjania Hana Selmani zbulon dhe diagnostikon depresionin përmes Inteligjencës Artificiale

123
fresco

Shkupjania Hana Selmani ka publikuar studimin e saj të parë shkencor mbi një program inovativ që përmes inteligjencës artificiale arrin ta zbulojë dhe diagnostikojë depresionin që modeli arrinë saktësi deri në 99 për qind të rasteve.

Hana ka përfunduar shkollën e mesme në Nova International Schools në Shkup, për të vazhduar më pas studimet në fushën e Shkencave Kompjuterike në New York University Abu Dhabi. Nën mentorimin e profesoreshës Mai Oudah, ajo zhvilloi një model parashikues që analizon të dhënat e mikrobiomës së zorrëve për të identifikuar ndryshimet bakteriale që dallojnë individët me depresion nga ata pa këtë gjendje.

Studimi përdori të dhëna nga 90 persona, 43 të diagnostikuar me depresion dhe 47 pa diagnozë për të ndërtuar modelin. Përmes teknikave të përzgjedhjes së veçorive, u identifikuan 30 deri në 50 baktere që treguan dallime të theksuara midis dy grupeve, duke ofruar potencial për zbulimin e biomarkerëve të rinj të depresionit.

midle

Modeli tregoi performancë mbresëlënëse, me një rezultat AUC prej 0.991, që korrespondon me një saktësi prej 99%. Ky nivel i lartë saktësie e bën sistemin një mjet të mundshëm për diagnostikim të hershëm, të përballueshëm dhe të aksesueshëm për shumë njerëz që, për shkak të kufizimeve financiare ose mungesës së specialistëve, kanë vështirësi në aksesimin e ndihmës psikologjike.

Përtej vlerës klinike, ky studim kombinon bioinformatikën me psikologjinë, duke krijuar ura të reja ndërdisiplinore. Programi gjithashtu ofron një bazë për studime të mëtejshme mbi ndikimin e mikrobiomës në shëndetin mendor dhe hap rrugën për përdorimin e biomarkerëve të zbuluar në kërkime biologjike më të thelluara.

Në të ardhmen, Hana synon të vazhdojë rrugëtimin e saj akademik me një master në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo gjithashtu është në proces të publikimit të një artikulli të dytë në fushën e sigurisë së çipave elektronikë dhe shpreson që puna e saj mbi diagnostikimin e depresionit të adoptohet nga kompani teknologjike ose institucione të shëndetit publik, për të pasur një ndikim më të gjerë në shoqëri.
Studimi i plotë është publikuar në Springer Nature, në kuadër të konferencës ndërkombëtare PACBB 2024.

Comments