Shoqata Shqiptare “Shkëndija” në Zagreb festoi 65-vjetorin e themelimit

55
fresco

Shoqata Shqiptare “Shkëndija” në Zagreb dje, më 25 tetor 2025, festoi 65-vjetorin e themelimit të saj me një ceremoni të veçantë që mblodhi anëtarë, miq dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe kroate.

Në këtë jubile të rëndësishëm u kujtua rruga e gjatë e shoqatës, e cila që prej themelimit të saj në vitin 1960 ka qenë një vatër e rëndësishme e ruajtjes dhe promovimit të identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqiptare në Kroaci.

Gjatë manifestimit u mbajtën fjalime përshëndetëse nga drejtuesja e shoqatës Gentiana Lleshdedaj dhe të ftuar të tjerë të nderuar, u prezantuan aktivitete kulturore e artistike, si dhe u shfaq një dokumentar kushtuar historikut të “Shkëndijës”. Programin e pasuroi ansambli artistik i shoqatës me valle dhe këngë tradicionale shqiptare.

Kryetarja e Shoqatës, në fjalën e saj, falënderoi të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar në zhvillimin e “Shkëndijës” dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet komunitetit shqiptar dhe shoqërisë kroate. “Shkëndija ka qenë dhe mbetet një urë miqësie, bashkimi dhe krenarie për shqiptarët në Kroaci,” u shpreh ajo.

Me këtë rast, u nderuan edhe disa anëtarë të dalluar për kontributin e tyre shumëvjeçar në jetën kulturore e shoqërore të komunitetit. Festa u mbyll me një një koktej miqësor.

Shoqata Shqiptare “Shkëndija” vazhdon të jetë një ndër organizatat më aktive të diasporës shqiptare në Kroaci, duke mbrojtur trashëgiminë kulturore, gjuhësore dhe historike të shqiptarëve ndër breza

Comments