Shqipëri: Sekuestrohen 54 kg kanabis, tre të arrestuar

Një sasi prej 54 kilogramë kanabis sativa janë sekuestruar në dy operacione të ndryshme në Tepelenë dhe në Lezhë, ndërsa në pranga janë vënë tre persona si posedues të lëndës narkotike.
Operacioni i parë antidrogë i koduar “Liqeni” u zhvillua në Tepelenë, ku u sekuestruan 34 kg kanabis, ndërsa në pranga u vu shtetasi Ervis Fejzo 23 vjeç banues në fshatin Dukaj.
“Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në afërsi të banesës së këtij shtetasi u gjet një armë zjarri (çifte) dhe disa thasë dhe disa kartona të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, me peshë totale rreth 34 kg”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tepelenës.
Operacioni i dytë i koduar “Mjegulla” u zhvillua në Lezhë, u sekuestruan 20 kg kanabis dhe u arrestuan dy persona.
“Xhevahir Gjeta, 38 vjeç dhe Aleksander Gjeta, 47 vjeç, banues në Mirditë u kapën në flagrancë në fshatin Gëziq në Mirditë , ku iu sekuestruan në cilësinë e proves materiale 4 qese të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike cannabis – sattiva me peshë totale 20 kg të cilat i kishin bërë gati për shitje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Lezhës.
Materialet për të dyja operacionit iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për vepren penale ”Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.