Shqipëtarët ‘pushtojnë’ Vatikanin

384
fresco

 

midle

Shqipëtarët ‘pushtojnë’ Vatikanin

Bazilika e Shën Palit, që është njëra prej katër bazilikave më të mëdha papnore në Romë, nga ora 19:30, për rreth 90 minuta, ka prezantuar koncertin në nderim të figurës së ‘Nënë Terezës, ku u paraqitën yjet shqiptarë, që karrierën e tyre e zhvillojnë kryesisht në nivel ndërkombëtar.

Emrat më të njohur shqiptarë të artit dhe sportit u bënë sonte bashkë në mbrëmjen e organizuar në vigjilje të shenjtërimit të Nënë Terezës.

Në skenë u ngjitën Lorik Cana dhe Rita Ora, të cilët kanë folur në shqip, italisht dhe anglisht për Nënë Terezën.

Orkestra dhe kori i Filarmonisë së Kosovës, sonte janë duartrokitur si asnjëherë më parë për paraqitjen e mrekullueshme që patën, nën udhëheqjen e mjeshtrit Bujar Llapaj. Ata shoqëruan në interpretim sopranot e mirënjohura Inva Mula e Ermonela Jaho dhe këngëtaren e famshme Rita Ora.

Himni kushtuar Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me vetë vargje të murgeshës së të varfërve gjatë një udhëtimi nga Irlanda në Kalkutë, kompozuar nga Genc Tukiçi, u interpretua nga diva, Inva Mula, e cila këndoi edhe së bashku me “Ave Maria” të Schubert , ndërsa “Thais Meditation” i Massenet erdhi nën tingujt e violinës së Shkëlzen Dolit.

Në vijim të koncertit, “Panis Angelicus” u interpretua nga sopranoja Ermonela Jaho ndërsa “Fjalët e Qiririt”, të Limos Dizdarit, nga tenori Ramë Lahaj.

Të pranishëm në këtë natë ishin edhe Majlinda Kelmendi, Gëzim Myshketa, Lum Veseli e Andi Bajgora.

Një ndër simbolet më të famshme të Krishlindjeve,“What Child is This”, u interpretua nga këngëtarja e famshme me origjinë nga Kosova, Rita Ora, nën orkestrimin e Shpëtim Saraçit.

Koncertin e kanë ndjekur edhe personalitetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova. Nga të dy shtetet ishin në sallë, presidentët Thaçi e Nishani, kryeministrat Mustafa e Rama.

Ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës është shënuar si ngjarja kryesore e Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Kështu, data 4 shtator, ditë e diel, do të shënohet në Kalendarin Apostol, pikërisht si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.

Comments