Shqipja,VMRO-DPMNE propozon amendamente

305

Derisa partitë që votuan për miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk gjejnë forcat për ri-shqyrtimin e tij, VMRO-DPMNE-ja do të propozojë amendamente në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Hrisitijan Mickoski kërkon nga Qeveria dhe të gjitha partitë politike t’i mbështesin amendamentet e opozitës, me qëllim që ligji të bëhet kushtetues dhe të largohet diskriminimi ndaj gjuhëve të bashkësive tjera etnike. Opozita pritet që gjatë javës t’i propozojë amendamentet në Kuvend.

VMRO-DPMNE-ja do të propozojë amendamente ndaj Ligjit për përdorimin e gjuhëve të cilët para se gjithash do t’i përmbajnë vërejtjet e Komisionit të Venecias dhe do të jenë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë. Një ligj jo kushtetues, ta bëjmë kushtetues në shpirtin e vlerave Evropiane. Askush në shtet të mos ndjehet i dëmtuar. Këto amendamente duhet mbështetur nga Qeveria, Zaevi dhe koalicioni i tij. Kjo do të dëshmojë se nuk ka kompromis kundër drejtësisë. Deri sa kjo nuk ndodhë do të mbizotëron populizmi si para hyrje për gënjeshtra të reja”-pohoi Hristijan Micskoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Opozita shqiptare vazhdon të mbajë qëndrimin se gjuha shqipe duhet zyrtarizuar me Kushtetutë, me qëllim dhënien fund të keqpërdorimeve për pikë politike. Lëvizja Besa kërkon qëndrime të unifikuara të partive shqiptare, me qëllim zyrtarizimin e shqipes me Kushtetutë.

Fatkeqësisht kjo situatë do të keqpërdoret dhe vazhdon të keqpërdoret për situatën parazgjedhore në të cilën gjendemi. Unë edhe më herët kërkova që partitë shqiptare të ulën dhe të marrin një qëndrim në përputhje më deklaratën e partive parlamentare shqiptare”-tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri thotë se partnerët a koalicionit po inskenojnë konflikt të brendshëm me qëllim mbulimin e dështimeve në reforma. Sipas tij, pas 12 prillit gjuha shqipe do të jetë zyrtare me Kushtetutë.

Ne jemi të vetëdijshëm se si çdo gjë edhe gjuhën shqipe BDI tenton ta degradon. Inskenimi i konflikteve artificiale brenda koalicionit nuk është hera e parë që përdoret si strategji parazgjedhore. Ky ligj u bë me insistimin e ASH-së, dhe çdo intervenim në të do të nxisë pakënaqësi te shqiptarët. Synim i yni është që gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase dhe kjo do të bëhet me ndryshime kushtetuese pas zgjedhjeve të 12 prillit”-theksoi Elmi Aziri, nënkryetar i ASH-së.

Partnerët e koalicionit qeverisës kanë qëndrime të ndara. LSDM-ja pretendon se për ligjin duhet ulur dhe biseduar me të gjitha palët. Socialdemokratët nuk ndajnë mendimin se nevojitet ligj i ri, apo shqyrtim i tërësishëm. BDI si fillim kërkon plan veprim konkret, duke hedhur poshtë zërat se me Ligjin për gjuhët po taktizohet për fushatë parazgjedhore.

Mënyra më e mirë për t’i zbatuar rekomandimet e Komisionit është nëpërmjet plan-veprimeve korrekte për ta lehtësuar zbatimin e ligjit duke krijuar kapacitetet e nevojshme. Krijimi i tyre nuk mund të bëhet brenda natës”-thonë nga BDI.

Komisioni Venecias rekomandoi ri-shqyrtim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke pezulluar fillimisht ekzekutimin e sanksioneve deri në gjetjen e qartësisë ligjore në zbatim. Ekspertët juridik gjithashtu rekomandojnë që autoritetet të heqin dorë nga zbatimi i dygjuhësisë në procedura gjyqësore dhe shtyrjen e komunikimit zyrtar ndër-institucional deri në gjetjen e zbatimit të duhur. Ekspertët juridik të Këshillit të Evropës nënvizuan se në krahasimin me ligjin e 2008, ky ligj në mënyrë të konsiderueshme zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe dhe në disa raste shkon përtej standardeve Evropiane.

Adrian Kerimi

Comments