Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë të butë nga frika, por nga zgjedhja për të ardhmen!

Shpesh thuhet se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë “të butë” dhe nuk krijojnë probleme, edhe pse ballafaqohen me padrejtësi në sport, arsim, politikë dhe në jetën e përditshme.
E vërteta është tjetër: shqiptarët nuk janë të qetë nga dobësia, por nga zgjedhja e vetëdijshme për një të ardhme më të mirë. Ne kemi zgjedhur rrugën e integrimit europian, paqes dhe stabilitetit, jo vetëm për vete, por për të gjithë qytetarët e këtij vendi.
Ka forca që për interesa të huaja tentojnë të shtojnë ndikimin serb, rus e kinez, duke nxitur tensione. Pikërisht për këtë, roli i SHBA-së dhe i Bashkimit Europian mbetet jetik. Ata janë aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, që kërkojnë shmangien e provokimeve dhe respektimin e politikave euroatlantike.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Shkup së fundmi kujtoi se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe i Kushtetutës është themeli i demokracisë dhe stabilitetit.
Shqiptarët kanë bërë zgjedhjen e tyre: demokracinë, lirinë dhe integrimin europian. Durimi ynë nuk vjen nga frika, por nga përgjegjësia dhe vizioni i qartë për të ardhmen që meritojmë.