Shqiptari hesht e nuk mallkon në ditën e mortit

455
fresco

Apel servilëve partiakë që mallkojnë kundërshtarin e gëzohen për fatkeqësinë e rivalit

Shqiptari nuk e ka zakon që të hakmerret as ndaj hasmit në ditë të mortit. Sipas traditës, më e pakta është të heshtësh kur në shtëpinë e tjetrit ka zi. Këto tradita i dimë të gjithë, ndaj u çudita sot kur në rrjetet sociale kishte jo pak njerëz që bënin komente anti njerëzore rreth ndarjes nga jeta të Nënës së Edi Ramës. Unë nuk e kam njohur zonjën, ndjesë pastë, ndaj nuk mund të flas për figurën e saj. Por nuk besoj se ka Nënë në këtë botë që edukon për mbrapsht fëmijët e saj. Kështu që, ju servilë të politikës që mendoni se duke sharë të vdekurit e duke mallkuar të gjallët do të hyni në zemrën apo preferencat e kryetarit, ju them se kot e keni. Së pari, po tregoheni anti njerëzorë e anti shqiptarë. Së dyti, kryetarët partiakë do ta ngushëllojnë Ramën e ty si servil do të te mbetet njolla e turpit.
Nga ana tjetër, mallkimi i kundërshtarit apo shpresa për të ardhur në pushtet si rezultat i sëmundjes apo pleqërisë së rivalit politik, është disfatiste. Këtë kanë uruar vite më parë socialistët për Sali Berishën e te njëjtën po urojnë e dëshirojnë tani një pjesë e simpatizantëve demokratë. Nëse mendoni se kjo është rruga për të ardhur në pushtet, ta dini se kjo ditë do të vijë vonë.
Ndaj mos mbani shpresë tek fatkeqësia e tjetrit, por tek alternativa më e mirë politike.
V.O: Për dikë që mendon se po i bëj fresk kryeministrit, e ka gabim pasi kush më njeh e di që nuk jam pajtuar kurrë politikisht me të, përkundrazi. Ndaj u lutem kurseni komentet pa kuptim!

Comments