Shqiptari vjedh shkollën e prekur nga tërmeti në Itali, Presidenti: Një fyerje për Italinë


Një shqiptar dhe një maqedonas janë nën hetim për vjedhjen e 10 PC një muaj më parë, në një shkollë të mesme në një qytezë pranë Askolit, raportojnë sot mediat lokale.
Grabitja ndodhi në shkollën e qytezës Akuasanta Terme, e cila u prek nga tërmeti shkatërrimtar i 24 Gushtit, por rezistoi e padëmtuar dhe u la në funksion nga autoritetet.
Mediat italiane bëjnë të ditur se grabitjet i kishte kryer 38-vjeçari shqiptar, punëtor i kësaj shkolle. Karabinierët italianë ranë në gjurmë të tij, 24 orë pasi punonjësit e shkollës denoncuan zhdukjen e 10 kompjuterëve portativë.
Policët e zonës u vunë në lëvizje dhe pasi ndaluan fugonin e shqiptarit, gjetën njërin prej kompjutrave të grabitur. Në vijim të operacionit, disa ditë më pas, më 30 shtator, policia zbuloi bashkëpunëtorin e tij, maqedonasin 58-vjeçar. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën edhe 2 komjuterë të tjerë. Maqedonasi u dorëzoi më pas autoriteteve kompjuterët e tjerë.
Për këtë ngjarje reagoi edhe presidenti italian Serxho Matarela gjatë një vizite në zonë, ku grabitjen e konsideroi një ofendim për Italinë dhe vjedhje të së ardhmes së brezit të ri.