Shtyhet apo nuk shtyhet afati për targat: Kurti edhe 6 ditë përballë kërkesës së SHBA-ve dhe BE-së

247
fresco

Bashkimi Europian ka bashkërenduar kërkesën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që afati për ndryshimin e targave në RKS nga serbët e Kosovës të shtyhet deri në shtator të vitit të ardhshëm. Kërkesa së fundmi u jehua edhe nga numri një i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, duke shtuar se çështja duhet zgjidhur në mënyrë paqësore.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u pyet lidhur me mesazhin e Sekretarit Blinken për Prishtinën dhe Beogradin, duke pasur parasysh se afati i 31 tetorit po afrohet me shpejtësi për ndërmjetësimin e marrëveshjes për targat, teksa ripohoi mbështetjen amerikane për bisedimet Serbi-Kosovë, raporton lajmi.net.

“Kjo është arsyeja pse Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor, besoj se ishte. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Price.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se ishte vetë Blinken që ka kërkuar nga Kosova që ta shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS.

“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit [Antony Blinken] për ta shtyrë atë, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, deklaroi ai.

Edhe Bashkimi Europian, i kërkoi Kosovës që të shtyjë afatin për 10 muaj të konvertimit të targave serbe dhe regjistrimit të tyre në ato të Kosovës.

“Konkluzionet për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshijnë një afat kohor për ri-regjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtës logjikë, tani kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Petter Stano.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka refuzuar tërthorazi një kërkesë të akterëve ndërkombëtarë, duke thënë se e kanë për obligim zbatimin e ligjit.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Europiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën”, deklaruan nga Qeveria.

Madje, edhe kreu ekzekutiv përgjatë së martës u deklarua kundër shtyrjes së afatit për targat.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, deklaroi Kurti para gazetarëve, pas Samitit të Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha se një vendim i këtillë do të nënkuptonte si tolerim i, siç i quajti ajo, bandave kriminale në veri të vendit.

“Mbi 90 përqind e serbëve i kanë targat në RKS, ata e respektojmë ligjin dhe parimin e barazisë. Por, ekziston një grup i vogël i serbëve që akoma nuk e ka bërë këtë ndryshim, për arsyen e vetme sepse kërcënohen nga bandat kriminale që paguhen nga Aleksandër Vuçiq. Dhe tani shtyrja e vazhdueshme në njëfarë mënyre nënkupton që po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë. Prandaj, kjo mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, nuk është assesi kundër serbëve”, deklaroi ndër të tjera ajo.

Qeveria e Kosovës më 1 shtator ka marrë vendim që deri më 31 tetor të konvertohen targat nga serbët, të cilat qarkullojnë me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Në rast se ky vendim qëndron në fuqi, do të mbeten edhe gjashtë ditë për serbët që t’i ndryshojnë targat në RKS.

Nga të dhënat në dispozicion të MPB-së me kërkesë të mediumit për numrin e veturave të regjistruara me targa nga ato ilegale në RKS, kanë figuruar 12 persona që kanë bërë një veprim të këtillë. Nga ky institucion kanë fajësuar strukturat paralele serbe dhe presidentin serb për, siç thanë ata, frikësim të serbëve të Kosovës. /Lajmi.net/

Comments