Situatë alarmante me mungesën e librave në shkollat e mesme të Tetovës

392

Edhe pse drejtuesit e shkollave të mesme në Tetovë heshtin, situata me mungesën e librave në to është alarmante. Problemi më i theksuar paraqitet tek shkollat e mesme profesionale. Në shkollën e mesme bujqësore, sipas bibliotekistit mungojnë më shumë se 1000 libra, po aq mungojnë edhe në shkollën ekonomike, ku për fat të keq, ka ende nxënës që mësojnë me librat e vitit 2010, të cilave, shumë faqe edhe iu mungojnë. Qindra libra mungojnë edhe në shkollën e mjekësisë, sidomos për drejtimet profesionale. Situata e keqe është edhe në shkollën tekstile. Ndihmës drejtori i kësaj shkolle thotë se, me këtë mungesë librash dëmtohen nxënësit.

Shkollat e mesme profesionale, sa i përket furnizimit me tekste shkollore, kanë më tepër problem për dallim nga Gjimnazi sepse janë në ndryshim e sipër planet dhe programet. Kemi afër 211 nxënës në vitin e parë dhe tekstet për ta janë ende në procedurë, por libri nuk zëvendësohet. Kushedi sa të kërkon literaturë jashtë tij në internet, libri është i pazëvendësueshëm dhe normalisht dëmtohet, sidomos ata që kanë vullnet për të mësuar – deklaroi Sulejman Fetahu zv.drejtor i Shkollës së Mesme Tekstile.

Drejtorët, ndërkohë sërish përgënjeshtrojnë Ministrinë e Arsimit, e cila thotë se kërkesat nuk janë bërë në kohë.

Kërkesën për furnizim me libra e kemi dërguar në kohë dhe kjo është në sistem dhe lehtë mund të vërtetohet. Për shkollën tonë kërkesa është bë në kohë – theksoi Nebojsha Tërpkovski. Drejtor i QMSH “MOSHA PIJADE”.

Në mungesë të librave nxënësit e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” mësojnë nga skriptet që i përgatisin profesorët.

Nga viti i parë deri tek viti i katërt mungojnë afër 200 sipas statistikës që kam këtu – u shpreh Aliriza mustafa, bibliotekist.

Për shkak të mungesës së librave më së shumti pësojnë nxënësit. Ata detyrohen të blejnë skripte të ndryshme, me të cilat furnizohet nga qendrat e kopjimit përballë shkollave. Një ditë më oarë Unioni i Nxënësve Shqiptarë paralajmëroi protesta, madje edhe bojkot të mësimit nëse nuk zgjidhet problemi me tekstet shkollore.

Bashkim Sulejmani

Comments