Në stadiumin kombëtar “Filipi i dytë” në Shkup, “ekipi mbretëror” Real Madrid ka zhvilluar seancën stërvitore për ndeshjen e nesërme kundër skuadrës angleze Manchester United, e cila do të zhvillohet në kuadër të UEFA Super Kupës, raporton AA, përcjellë Klan Kosova.
Më herët u paralajmërua se kjo do të jetë stërvitja e vetme e skuadrës spanjolle para ndeshjes së nesërme kundër skuadrës angleze.
Real Madridi vjen në përbërje të plotë, duke përfshirë edhe yllin Cristiano Ronaldo, i cili filloi me trajnime para vetëm dy ditëve, por nuk dëshiroi ta lëshojë ndeshjen e nesërme kundër ish-ekipit të tij, pjesë e të cilit ishte në vitet 2003-2009.
Para fillimit të stërvitjeve, kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, në një konferencë për media tha se skuadra e tij është e gatshme për ndeshjen e ardhshme kundër Manchester Unitedit.
“Nesër përsëri do të takohemi me ‘historinë’. Patjetër të kujtojmë se kjo finale është e fituesit në Champion League dhe Europa League. I kemi mundësitë ta fitojmë edhe një trofe që do t’u kushtohet tifozëve dhe ndjekësve tanë. Me të vërtetë dëshirojmë që trofeun nesër ta marrim në Madrid”, tha Sergio Ramos.
Skuadra e Real Madridit në Shkup u prit nga një numër i madh tifozësh dhe prej mbështetësve të tyre. Ata me pankarta dhe brohoritje në mbështetje të lojtarëve të “ekipit mbretëror” pritën ardhjen e tyre jashtë hotelit privat në të cilën janë të vendosur. Ndërkohë, skuadra spanjolle ishin nën sigurim të fuqishëm policor.
Real Madridi në ndeshjen e nesërme do të luftojë për trofeun e katërt me radhë të Super Kupës Evropiane.