Sot 7 vite më parë, Hashim Thaçi është zgjidhur president i Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është zgjidhur president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike, më 26 shkurt të vitit 2016.
Ai ka fituar me 71 vota në raundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjidhja e tij është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, të cilat dy herë radhazi kanë ndërprerë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.
Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit kanë diskutuar kundër zgjidhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafën, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata kanë vënë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës kanë shfaqur dyshimin se kandidati për president, Hashim Thaçi, mund të ketë bërë lëshime të reja përballë Listës serbe në shkëmbim të votës së tyre në favor të zgjedhjes së tij.
Derisa ishin duke u zhvilluar raundet e votimeve, jashtë parlamentit, Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që kanë hedhur shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.
Hashim Thaçi detyrën e presidentit e ka marrë më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës.