Sot shënohet 28-vjetori i ngjarjeve të 9 Korrikut 1997 në Gostivar
Gostivar, 9 korrik 2025 – Sot shënohet 28-vjetori i ngjarjeve tragjike të 9 korrikut 1997 në Gostivar, një nga momentet më të dhimbshme dhe historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Në këtë ditë, në vitin 1997, forcat speciale maqedonase ndërhynë me dhunë në komunën e Gostivarit, duke hequr flamurin kombëtar shqiptar dhe arrestuar drejtuesit komunal të asaj kohe.
Përplasjet me protestuesit shqiptarë rezultuan me pasoja të rënda: 3 qytetarë shqiptarë humbën jetën, qindra të tjerë u plagosën dhe u arrestuan. Mes të arrestuarve ishin edhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, dhe kryetari i Këshillit Komunal, Refik Dauti.
Ngjarja u shkaktua pas vendimit të autoriteteve komunale për të ngritur flamurin kombëtar shqiptar pranë komunës, gjë që u cilësua si e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese e atëhershme e Maqedonisë. Ndërhyrja brutale e forcave policore u pasua nga dënime të ashpra për liderët shqiptarë dhe reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.
Organizatat shqiptare dhe përfaqësues të shoqërisë civile theksuan nevojën që kjo ngjarje të mos harrohet dhe të shërbejë si mësim për forcimin e bashkëjetesës, respektit për të drejtat e komuniteteve dhe për kujdes më të madh institucional ndaj simboleve kombëtare.