Sot takimi i liderëve të thirrur nga Mickoski, në fokus Qeveria teknike dhe agjenda reformuese
Sot në Klubin e Deputetëve do të mbahet takimi i liderëve politikë, ku do të marrë pjesë kryeministri dhe njëherësh kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si dhe kryetarët e partive që kanë grupe parlamentare në Kuvend informon Tetovasot.
Siç është paralajmëruar, në këtë takim do të diskutohen ligjet reformuese në gjyqësor, zgjedhja e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, shfuqizimi i Qeverisë teknike, si dhe çështje të tjera që mund të propozohen nga pjesëmarrësit.
Nga tre grupet parlamentare të opozitës, pjesëmarrjen deri më tani e kanë konfirmuar E Majta (Levica) dhe BDI-ja, ndërsa kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e ka refuzuar menjëherë thirrjen e Mickoskit për takim të liderëve.
Nga partnerët e koalicionit qeverisës, në takim pritet të marrë pjesë kryetari i ZNAM-it dhe njëherësh kryetar i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ndërsa nga koalicioni “VLEN” pjesëmarrës do të jetë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

