Starmer kritikon Izraelin për ofensivën në Gaza: Vendim i gabuar, sillni rishqyrtim të menjëhershëm
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kabinetit të sigurisë së Izraelit për ta përshkallëzuar më tej ofensivën në Qytetin e Gazës, duke e cilësuar si një hap të gabuar që vetëm sa do e thellojë krizën.
Përmes një deklarate të dhënë për Sky News, lideri britanik i ka bërë thirrje Izraelit që të tërhiqet nga plani:
“Kjo veprimtari nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund këtij konflikti apo për të ndihmuar në lirimin e pengjeve. Ajo do të sjellë vetëm më shumë gjakderdhje”, tha Starmer.
Ai ka kërkuar nga autoritetet izraelite që ta rishqyrtojnë menjëherë vendimin, duke theksuar se situata humanitare në Gaza është duke u përkeqësuar dita-ditës.
“Kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa pengjet e marra nga Hamasi po mbahen në kushte të tmerrshme”, theksoi ai.
Starmer shtoi se Mbretëria e Bashkuar po bashkëpunon me aleatët ndërkombëtarë për të ndërtuar një plan afatgjatë për paqen në rajon, duke u bazuar në zgjidhjen me dy shtete.
Kujtojmë se konflikti i fundit mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor 2023, pas një sulmi të Hamasit ku mbetën të vrarë rreth 1.200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Mendohet se aktualisht Hamasi mban rreth 50 pengje.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila është nën kontrollin e Hamasit, në ofensivën e përgjakshme të Izraelit deri tani janë vrarë mbi 61 mijë palestinezë.