Strategjitë bashkëkohore të trajnimit për përdorimin dhe neutralizimin e dronëve në operacionet ushtarake

69
fresco

Prof.dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major
Universiteti “Nënë Tereza”, Shkup

Abstrakti

Ky studim trajton rëndësinë e trajnimit të personelit ushtarak për përdorimin dhe asgjësimin e dronëve në kontekstin e luftës moderne dhe sfidave teknologjike. Metodologjia përfshin analizën e programeve ndërkombëtare me fokus në strategjitë e Koresë së Jugut dhe Rusisë, duke përdorur burime dhe raporte ushtarake për të shqyrtuar metodat dhe teknologjitë e përdorura. Rezultatet tregojnë se trajnimi masiv i Koresë së Jugut dhe modeli i avancuar rus për snajperistët plotësojnë njëra-tjetrën në ndërtimin e kapaciteteve operative për përdorimin efektiv dhe neutralizimin e dronëve¹³. Përfundimi thekson nevojën për integrimin e këtyre qasjeve në programet mësimore ushtarake për të përmirësuar aftësitë taktike dhe teknologjike në epokën digjitale.

Fjalë kyçe: dronë ushtarakë¹³, trajnim operativ, kërkime taktike, asgjësimi i dronëve¹³, kapacitete të avancuara, teknologji VR, snajperistë.

Hyrje

Avancimet teknologjike të shekullit XXI kanë sjellë ndryshime thelbësore në mënyrën e kryerjes së operacioneve ushtarake, ku dronët kanë marrë një rol qendror në inteligjencë, mbështetje ajrore dhe sulme të saktëta¹. Kjo zhvillim ka paraqitur sfida të reja për personelin ushtarak, që duhet të jetë jo vetëm i aftë për përdorimin efektiv të dronëve, por edhe për neutralizimin e tyre në situata lufte. Problematika që trajtohet në këtë studim është mënyra se si mund të formohen kapacitete të avancuara trajnimi të personelit për të përballuar këto kërkesa të reja.Qëllimi kryesor është analizimi i dy modeleve të njohura në botë: iniciativa ambicioze e Koresë së Jugut për trajnimin masiv dhe modeli rus i trajtimit taktiko-operativ të snajperistëve për goditjen e dronëve në distanca të largëta³. Ky hulumtim ka rëndësi shkencore, pasi kontribuon në literaturën e sigurisë dhe mbrojtjes ushtarake duke ofruar një perspektivë krahasuese që mund të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin e mëtejshëm të trajnimeve në këtë fushë.

1. Iniciativa e Koresë së Jugut

Koreja e Jugut ka nisur një program ambicioz që synon trajnimin e 500,000 ushtarëve për përdorimin e dronëve në operacionet ushtarake¹. Ky plan përfshin pajisjen e njësive ushtarake me dronë të dedikuar për trajnime dhe zhvillimin e aftësive operative në fushat e betejës dhe situata të ndryshme taktike. Me mbi 11,000 dronë dhe një buxhet prej mbi 14 milionë eurosh për vitin 2025, programi integrohet me teknologjitë VR dhe AR, duke mundësuar simulime realiste për misione të ndryshme¹².Duke trajnuar masivisht personelin, Koreja e Jugut përgatit një ushtri teknologjike bashkëkohore që rrit kapacitetin mbrojtës dhe krijon bazën për zhvillime të mëtejshme teknologjike në sektorin civil pas përfundimit të shërbimit ushtarak¹².

2. Modeli rus i trajnimit për asgjësimin e dronëve nga snajperistët (2021)

Në vitin 2021, Rusia zhvilloi një trajnim të avancuar për snajperistët e saj me synim neutralizimin e dronëve në largësi deri në 2 kilometra³. Trajnimi përfshin përdorimin e armëve snajperske moderne si SVDM, VSS Vintorez dhe ASVK-M Kord-M, të pajisura me optikë natë/ditë dhe pajisje shtesë si shurdhues të zërit³. Snajperistët përgatiten në kushte të ndryshme meteorologjike, duke simuluar goditjen e dronëve me efikasitet maksimal³.Pjesëmarrësit mësojnë gjithashtu taktika të sofistikuara të maskimit, lëvizjes së fshehtë dhe ndërtimit të pozicioneve të qëndrueshme të zjarrit³. Kjo qasje forcon aftësinë individuale për reagim të shpejtë dhe neutralizim të kërcënimeve emergjente me mjete tradicionale të modernizuara³.

3. FSK-ja trajnon snajperistët e rinj për qitje precize në distanca të largëta edhe kundër dronëve

Sipas informacioneve të publikuara më 28 shtator 2025 në gazetën Bota Sot, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë ndjekur një trajnim të specializuar në qitje në distanca të largëta, me fokus në ngritjen e kapaciteteve luftarake dhe përgatitjen për situata operative të avancuara⁴.Ky program i trajnimeve ka për qëllim certifikimin e pjesëtarëve si snajperistë profesionalë, të aftë për përdorimin e armëve me kalibra të ndryshëm sipas standardeve moderne ndërkombëtare. Ai përfshin gjithashtu elemente që lidhen me neutralizimin e dronëve në distanca të gjata, duke reflektuar përkushtimin e FSK-së në:
● zhvillimin e kapaciteteve teknike,
● avancimin e profesionalizmit ushtarak,
● përmirësimin e gatishmërisë për misione të brendshme dhe ndërkombëtare⁴.Kjo nismë vendos FSK-në përkrah trendeve globale të përgatitjes taktike ndaj kërcënimeve të dronëve në konfliktet e reja hibride⁴.

4. Komparacion i përmbledhur i modeleve

● Programi i Koresë së Jugut për trajnim masiv është një strategji gjithëpërfshirëse që aftëson forcat ushtarake për përdorim efikas dhe inovativ të dronëve, duke integruar teknologji VR/AR dhe simulime praksike të avancuara¹.
● Modeli rus fokusohet në zhvillimin e aftësive të specializuara për snajperistët në neutralizimin e dronëve me mjete konvencionale, duke ndërtuar kompetenca precize operative³.
● FSK-ja, duke adoptuar elemente nga të dy modelet, po zhvillon një qasje hibride që ndërthur trajnimin praktik të precizionit me integrimin e teknologjive moderne të mbikëqyrjes dhe simulimit⁴.
● Diferenca qendrore është se Koreja e Jugut mbështetet në trajnimin masiv dhe integrimin teknologjik në shkallë të gjerë, ndërsa Rusia dhe FSK-ja përqendrohen në aftësi të avancuara për një grup specialistësh taktikë¹³.

5. Domethënia e shkurtesave VR dhe AR

● VR (Virtual Reality – Realiteti Virtual) krijon një mjedis tërësisht të simuluar kompjuterik ku ushtarët praktikojnë operacione në botë digjitale¹.
● AR (Augmented Reality – Realiteti i Zgjeruar) shton elemente informuese mbi botën reale përmes pajisjeve si syze inteligjente apo ekrane taktike, duke plotësuar trajnimin praktik me të dhëna në kohë reale¹.

Në trajnimin ushtarak, VR përdoret për simulime të misioneve pa rrezik real, ndërsa AR ndihmon gjatë ushtrimeve taktike në terren duke ofruar informacion shtesë pa ndërprerë ndërveprimin me realitetin fizik¹.

Përfundime

Trajnimi strukturor dhe i avancuar për përdorimin dhe neutralizimin e dronëve në nivel masiv dhe specialistik është thelbësor për forcimin e kapaciteteve ushtarake bashkëkohore. Programet e Koresë së Jugut, Rusisë dhe përpjekjet e FSK-së përbëjnë qasje komplementare që duhet të integrohen në ndërtimin e doktrinave të reja trajnimi për operacionet e ardhshme¹³.

Rekomandime:

● Integrimi i teknologjive VR dhe AR në të gjitha nivelet e trajnimit operativ për simulime dhe analizë taktike.
● Zhvillimi i moduleve të dedikuara për neutralizimin e dronëve dhe reagimin ndaj sulmeve ajrore me mjete të kombinuara (armë zjarri, radioelektronikë, sisteme mbrojtëse).
● Bashkëpunim ndërkombëtar për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave në fushën e trajnimit kundër dronëve dhe mbështetje në ngritjen e qendrave të specializuara rajonale të trajnimit¹³.

Literatura e shfrytëzuar:

1. Racaj, Muhamet, Revolucioni i dronëve në luftën e shekullit XXI: Ndërtimi i kapaciteteve dhe trajnimi, 2020–2025.
2. Buçpapaj, Flamur, Strategjia ushtarake për mbrojtjen dhe trajnimin me dronë, 2024.
3. Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, Raport mbi trajnimet taktike dhe neutralizimin e dronëve, 2021.
4. Gazeta Bota Sot, FSK trajnon snajperistët e rinj për qitje precize në distanca të largëta edhe kundër dronëve, 28 shtator 2025.

Comments