Superkupa e Spanjës, Barça-Atletico “luftë” për finalen
Superkupa e Spanjës në formatin e ri me 4 skuadra do të marrë formë mbrëmjen e sotme kur të përcaktohet edhe skuadra e dytë finaliste e këtij kompeticioni.
Në Jeddah të Arabisë Saudite në King Abdullah Sports City, Barcelona sfidon Atletico Madridin, një përballje emocionuese dhe shumë e bukur për t’u ndjekur, sidomos pas fitores së Reali pasi të dielën, mundësia është të kemi një tjetër El Clasico.
Blaugranat dhe Los Colchoneros vinë në këtë sfidë nga forma diametralisht të kundërta, Barça në 4 ndeshjet e fundit të La Ligas, ka regjistruar 3 barazime dhe vetëm 1 fitore, ndërkohë që Atletico e Simeones vjen pas 3 fitoresh rresht dhe në javët e fundit është rifutur në garën për titull pasi e ka ngushtuar në vetëm 5 pikë distancën me dy skuadrat kryesuese Barçën dhe Realin.
Janë 4 mungesat e rëndësishme të blaugranave në këtë sfidë pasi lojtarë si Ter Stegen, Arthur, Dembele dhe i sapo rikthyeri Arda Turan janë të dëmtuar, ndërkohë që në kampin bardhekuq, mungesa e madhe është vetëm ajo e Diego Costas.
Në fazën e parë në kampionat mes këtyre dy ekipeve u zhvillua një ndeshje vërtet spektakolare në Wanda Metropolitano, një sfidë me raste pafund nga të dy krahët por që u zgjidh vetëm nga një gol në fund i Lionel Messit.
Si Barcelona ashtu edhe Atletico Madrid do të bëjnë çmos për të qenë pjesë e finales së madhe të Superkupës së Spanjës mbi të gjitha për të sfiduar Real Madridin, rivalin e përjetshëm, që të mërkurën preku finalen pasi eliminoi Valencian duke e mposhtur 3-1.

