Sveçla i vendosur: Nuk do të lejojmë që për qëllime politike të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i Kosovës

349
fresco

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Kosova nuk do të lejojë që Serbia të ushtrojë kompetencat e sovranitetit në territorin e Kosovës.

Përmes një statusi në Facebook, ai ka thënë se dëshiron t’i sigurojë të gjithë qytetarët pa dallim që Qeveria nuk është kundër dhe nuk i mohon të drejtën askujt për të zgjedhur, por se nuk do të lejojnë që për qëllime politike të Serbisë të shkelet rendi kushtetues dhe sovraniteti i vendit.

“Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serb të Kosovës, e kjo duhet të marrë fund. Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë, në Zyrën Ndërlidhëse apo duke shkuar për të votuar në vendvotimin e tyre në Republikën e Serbisë. E njëjta mënyrë tashmë është përcaktuar edhe nga shtetet tjera demokratike, ku qytetarët serb mund të votojnë në ambasada si në Austri, Belgjikë dhe Luksemburg, Itali, Norvegji, Rusi, Francë, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Njejtë votohet dhe në vendet fqinje si Maqedoni e Veriut e Mal të Zi”, ka thënë Sveçla në Facebook, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se institucionet do të kujdesen që të veprojnë me transparencë të plotë, në pajtim me standardet demokratike dhe Kushtetutën e Kosovës, për të garantuar kështu mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetin territorial dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës.

Comments