Takim OEMVP – Aleanca për shqipëtarët

Në takimin sot me Aleancën për shqiptarët, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore prezantoi platformën e saj për zhvillim ekonomik.
OEMVP kërkon nga partite politike të angazhohen për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë, gjegjësisht pranimin e masave të propozuara nga Oda
Një ndër masat e propozuara është edhe rritja e pragut për investime në rajonet më pak të zhvilluara nga 1% e PBB-së, në të paktën 2 deri në 2.5% të PBB-së, si një masë urgjente vetëm për 5 vitet e ardhshme, sepse niveli aktual i investimeve është 0.03% e PBB-së.
Oda kërkon zbatim jo-selektiv të ligjeve, sidomos të atyre që janë në favor të zhvillimit të biznesit, p.sh Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal të Republikës së Maqedonisë dhe inkurajimin e bizneseve të vogla dhe të mesme duke nxitur sipërmarrjen në zonat rurale dhe përmes promovimit të grave në biznes.Investimet e huaja direkte të drejtohen në mënyrë të barabartë në të gjitha zonat e Republikës së Maqedonisë me qëllim të rritjes së barabartë në të gjitha qarqet e planifikuara të vendit.
Kërkesat tjera që dalin nga biznesmenët e OEMVP-së drejtuar partive politike, njëherit edhe për Aleancën për shqipëtarët janë: transparencë dhe llogaridhënie për harxhimin e mjeteve buxhetore dhe politikbërjen e tyre, zvogëlim të pabarazisë së zhvillimit rajonal, braktisje të mitit për fuqi të lirë punëtore, masa të reja për rritjen e punësisë, përpilim të një platformeje ekonomike me plane strategjike afatmesme apo afatgjate për zhvillim të qëndrueshëm dhe konzistent ekonomik, angazhim serioz për rritje të BPV-së më shumë se 4%.
Në fushën e zhvillimit të biznesit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, ka shqyrtime të vetat dhe propozon masa në pjesën e ndryshimit të legjislacionit, masa për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sipërmarrje me fokus të veçantë tek gratë dhe të ndërmarrësit e rinj në zonat rurale, lehtësime tatimore dhe mbështetje për diasporën si potencial për zhvillimin e vendit.
Si masë për përkrahjen e sipërmarrësisë, Oda sheh edhe sigurimin e fondeve për “start-up” bizneset, duke mbështetur themelimin e “inkubatorëve të biznesit” prej buxhetit të shtetit dhe fondeve të jashtme si dhe sigurimi i mjeteve shtesë në formën e granteve për bizneset start-up.
Platforma e OEMVP-së për zhvillim ekonomik të Maqedonisë përfshin edhe reforma në fushat tjera si:
-
institucionet publike dhe shtetërore;
-
financa publike;
-
punësime;
-
zhvillimin e biznesit;
-
legjislacion;
-
ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
-
sipërmarrësi;
-
tatime;
-
fonde alternative për financimin e biznesit;
-
zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial;
-
infrastrukturë dhe energjetikë;
-
Bujqësi;
-
Zhvillimi i turizmit e tjera.