Takohet Këshill i Sigurisë së Serbisë, Maqedonci: Të pranishëm edhe Komandantët që trajnuan pjesëtarët e sulmit në Banjskë
Është mbajtur takimi i Këshillit të Sigurisë së Serbisë, i cili u thirr me urgjencë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe Komandanti i Brigadës 63 të Parashutistëve, Nened Zonic; Komandanti i Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, Miroslav Talijan; Shefi i Drejtorisë së Operacioneve (J-3), Tioslav Jankovic; Komandanti i forcave Ajrore, Dusko Zarkovic dhe Komandanti i Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Serbisë, Dusko Zarkovic, shkruan lajmi.net.
Rreth kësaj ka reaguar Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili tha se Presidenti Vuçiq ka përdorur si pretekst për thirrjen e këtij takimi sulmin në Moskë.
Maqedonci theksoi faktin se të pranishëm në këtë këshill janë dy nga Komandantët të cilët dyshohet se kanë trajnuar disa nga pjesëtarët e sulmit terrorist në Banjskë.
“Ajo çfarë është shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli, është prezenca e Komandantit të Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, formacione ushtarake këto që dyshohet që kanë realizuar përgatitjen dhe trajnimin e qindra anëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile/Brigada e Veriut”, e të cilët më pas morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit”, ka thënë Maqedonci përmes një postimi. /Lajmi.net/

