Taravari i përgjigjet Zaevit për përkrahjen për Bejtën

216

Kandidati i Aleancës për Shqiptarët në Gostivar, Arben Taravari i është përgjigjur shkurt kryeministrit Zoran Zaev, pas përkrahjes së tij publike për kandidatin e BDI-së, Nevzat Bejta.

Taravari për “Fokus.mk” ka theksuar se do ta fitojë Bejtën, për shkak se ai është pjesë e kriminalitetit në Gostivar. Kjo ka qenë përgjigja e shkurtër e Taravarit që ende mban postin e ministrit të shëndetësisë, në adresë të kryeministrit të tij Zaev.

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, z. Zoran Zaev në fjalimin e tij potencoi që me Nevzat Bejtën janë miq të vjetër dhe se në Gostivar ndodhet për t’i dhënë mbështetje në realizimin e programit parazgjedhor si Kryetar i Gostivarit.

“Erdha sonte të kërkoj mbështetje. Gostivari vite më parë ndodhej në situatë të palakmueshme. Kishit Kryetar komune i cili publikisht fliste për atë që nuk bënte, por dinte edhe të lavdëroi atë që bënte dhe paraardhësin tim e vendosi në pozitë të palakmueshme. Unë kam ardhur sot këtu të kërkoj mbështetje por edhe të jap fjalë! Nevzat Bejta është shoku im, miku im i mirë! Kaluam shumë sfida së bashku. Në vitin 2005 me fillimin e decentralizimit filluan garat në mes komunave. Strumica ime llogaritej ndër më të suksesshmet. Dy herë pësuam humbje nga Nevzat Bejta dhe Gostivari”, tha Zaev.
Zaevi më tej shtoi se e di që Bejta e do Gostivarin dhe se me një mbështetje të vogël nga pushteti qendror Gostivari do të shkëlqej.

“Dua të nderuar Gostivaras sonte këtu përpara Jush ta jap fjalën time. Duke kërkuar mbështetje për Nevzatin ju premtoj se e keni mbështetjen e Zoran Zaevit, të Qeverisë së RM – së dhe shumicës parlamentare. 100 % pas Gostivarit, qëndrojmë fuqishëm pas kërkesave dhe projekteve kryesore te Gostivarit. Gostivari ka fuqi të realizoj projekte dhe ka realizuar projekte. Janë realizuar vetëm në vitet e fundit 600 projekte, por tani me mbështetjen e pushtetit qendror se bashku në fillim do ta zgjidhim problemin e deponisë për shkak se paraqet shëndet për Gostivarin. Keni mbështetjen e plotë të Qeverisë së RM – së për zgjidhjen e shpejtë dhe përfundimtare të problemit të deponisë këtu në Gostivar”, tha Zaev.

Comments