Taravari: Nuk do t’i kërkoj falje Zaevit
Kryetari i komunës së Gostivarit dhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari nuk ka ndër mend t’i kërkojë falje kryeministrit Zoran Zaev pas deklaratës, ku tha se ai i ka ofruar para një deputeteje të ASh-së gjatë formimit të shumicës parlamentare.
Taravari në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve sot në Gostivar tha se e ka folur të vërtetën dhe se të dy e dinë se çka ka ndodhur.
“Ai e di se edhe unë e di. Nëse i ka zgjidhur problemet tjera dhe çështjet më të mëdha, lirisht le të më padisë, këtu jam. Megjithatë do të vijë koha kur për këtë punë do të flas publikisht. Pasi jemi në regjim hibrid dhe nuk dëshiroj t’i tërheq deputetët tanë në gjendje të palakmueshme, ky rrëfim dhe këtë temë do ta mbyll këtu. Është qartë se çka ka ndodhur”, deklaroi Taravari.
Kryetari i komunës së Gostivarit dhjetë ditë para mbledhjes së Këshillit të Evropës është pesimist për marrjen e datës për negociatat me BE-në.
“E presim 14 dhjetorin, pasi ka pasur premtime për eurointegrime, Unë dhe Aleanca e dëshirojmë datën, por sipas sinjaleve që i marrim nga Bullgaria, ky është mision i pamundur dhe nuk besojmë se kjo do të ndodhë”, nënvizoi Taravari.