Të fala nga Tetova!

351

Nëse ju kujtohen ato ditë të tmerrit, në vitin 2014 e 2015, kur Tetova thyente rekorde botërore për nga niveli i ndotjes, pasojat tani janë në shifrat alarmante të vdekshmërisë, ku çdo i gjashti person që ndërron jetë, ka vdekur si pasojë e ndotjes. Shtojmë këtu edhe rënien enorme të lindjeve, pasi çdo vit e më shumë, në Tetovë lindin shumë pak foshnja

Nga Urim HASIPI

Dy dekadat e fundit, ne – banorët e Tetovës me rrethinë, po jetojmë në një ambient të ndotur. Thënë ndryshe, pa fajin tonë, marrin frymë në një ajër të ndotur, që një ditë do të marrë edhe haraçin e vet. Shëndeti i qytetarëve, jo vetëm që është vënë në pikëpyetje, por shumica e banorëve jetojnë të shoqëruar me helm çdo ditë. E pashpjegueshme që deri më tani, ende institucionet e shtetit dhe ato lokale nuk arritën të bëjnë analiza konkrete që do të detektonin saktësisht të gjitha burimet e ndotjes së Tetovës.

Moebel THEMA

Tetova nuk është qytet me industri të rëndë të zhvilluar, nuk ka fabrika të mëdha për përpunimin e metaleve të rrezikshme. Nuk ka as fabrika për prodhimtari të lehtë, e ku më për industri të rëndë. Prandaj, edhe mbetet enigmë se kush i helmon tetovarët. Kompetentët thonë se, ndotja vjen nga përdorimi i lëndëve djegëse, fosileve, materieve të dëmshme, por kjo ndoshta është vetëm një dimension i ndotjes. Thonë se, ndotja vjen nga numri i madh i automjeteve që lëvizin në një hapësirë të vogël. Edhe ky mund të jetë një faktorë relevant, por jo determinues për të qenë ndotja në këtë nivel alarmant. Thonë edhe se, ndotja mund të jetë edhe nga përdorimi i drurit si lëndë djegëse, që edhe mund të jetë një faktor, por jo vendimtar që mund të shkaktojë kaq ndotje enorme.

Me dru janë ngrohur edhe të parët tanë, por kaq nivel alarmant të ndotjes nuk ka pasur. Prandaj, mbetet enigmë dhe ju bëjmë të fala atyre lart, atyre që janë të paprekshëm në Qeveri se, nëse janë nisur në rrugën që Tetovën ta shohin si një qytet fantazmash, janë në rrugë të mbarë për të arritur këtë. Nëse nuk mjaftoi largimi në masë të madhe i banorëve të Tetovës në vende tjera të botës, shpresojmë që ndotja do të jetë një impuls shtesë që zhdukja e Tetovës të bëhet realitet. Edhe kjo mbetet temë e veçantë dhe për trajtim se pse kaq ky vrer dhe ky mllef ndaj Tetovës. Ajo që mund të shpjegohet shumë lehtë është se Tetova tashmë sipas të gjitha statistikave mbetet qyteti i dytë në vend për nga vdekshmëria si pasojë e ndotjes.

Nëse ju kujtohen ato ditë të tmerrit, në vitin 2014 e 2015, kur Tetova thyente rekorde botërore për nga niveli i ndotjes, pasojat tani janë në shifrat alarmante të vdekshmërisë, ku çdo i gjashti person që ndërron jetë, ka vdekur si pasojë e ndotjes. Shtojmë këtu edhe rënien enorme të lindjeve, pasi çdo vit e më shumë, në Tetovë lindin shumë pak foshnja. Rezultate impresionuese për një shtet që dëshiron të zhdukë një qytet apo një rajon të tërë. Këtyre shifrave, lakminë do ua kishin edhe shumë diktatorë që në të kaluarën nuk kanë arritur që të shfarosin një popull të tërë. Prandaj, u bëjmë të fala nga Tetova, jeni në rrugë të mbarë dhe vetëm vazhdoni, Tetova është ashti siç dëshironi ta shihni.

Comments