“Territoret” fokusi i bisedimeve Ukrainë-Rusi
Kremlini konfirmoi se çështja e territoreve do të jetë në fokus të raundit të ri të bisedimeve për paqen në Ukrainë, që pritet të zhvillohet këtë javë në Gjenevë.
Takimet mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara do të mbahen në një moment kur Kievi po përballet me presion në rritje nga Uashingtoni për të arritur një marrëveshje, ndërsa Moska kërkon që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin e Donbasit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, bëri të ditur se presidenti Vladimir Putin është në kontakt të vazhdueshëm me ekipin negociator rus dhe deklaroi se çështja e territorit është më e rëndësishmja për Moskën.
“Presidenti është në kontakt të vazhdueshëm me negociatorët tanë dhe ata marrin udhëzime të detajuara prej tij përpara nisjes. Në dy raundet e mëparshme u diskutuan çështje të sigurisë, që lidhen drejtpërdrejt me ushtrinë. Këtë herë ideja është të diskutohet një gamë më e gjerë çështjesh, përfshirë ato kryesoret që kanë të bëjnë me territorin”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht ka shprehur gadishmërinë për t’i dhënë fund luftës, pasi sipas tij po vriten njerëz të pafajshëm.
Megjithatë, palët mbeten larg një marrëveshjeje për çështjet që lidhen me territorin, kontrollin mbi centralin bërthamor të Zaporizhzhias dhe rolin e mundshëm të trupave perëndimore në Ukrainën e pasluftës.

