Letra e ministrit të Punëve të Brendshme drejtuar kryeministrit dhe përgjigja negative e tij për kërkesën e popullsisë së Çamërisë dhe Kosovës.

Rreth një vit pasi komuniteti i Çamërisë ishte përzënë nga trojet e veta përmes genocidit grek, të NapoleonZervës, popullsia çame ishte vendosur në disa qytete të Shqipërisë, e strehuar nëpër çadra në kushte të mjerueshme.

Në Korrik të vitit 1945, Komiteti Antifashist i Çamërisë, paraqiti kërkesë drejtuar Qeverisë Demokratike Shqiptare për pajisjen e tyre me shtetësi shqiptare. Kjo kërkesë e komunitetit të Çamërisë erdhi pasi dështuan përpjekjet e tyre për t’u kthyer në trojet e veta në Çamëri. Për këtë dështim kishte përgjegjësi edhe qeveria shqiptare e drejtuar nga Enver Hoxha, pasi kishin pranuar kushtet e Greqisë për të mos lejuar kthimin e popullsisë çame në shtëpitë e tyre.

Në këto kushte komuniteti çam kërkoi pajisjen me nënshtetësi shqiptare. Por, kërkesa e tyre u refuzua nga kryeministri i kohës, Enver Hoxha. Kërkesa e popullsisë së Çamërisë ishte e përbashkët me popullsinë kosovare që kishte emigruar në Shqipëri deri në atë kohë.

Më poshtë botohet letra e Ministrisë së Brendshme e 18 korrikut të vitit 1945, drejtuar Enver Hoxhës, ku pasqyrohet kërkesa e çamëve dhe kosovarëve.  27.al boton edhe përgjigjen negative të diktatorit drejtuar vartësive të tij, ku urdhërohet të mos pranohen kërkesa nga çamët e kosovarët për t’iu dhënë nënshtetësinë.

Kërkesa

Ministria e Punëve të Brendshme

18.08.1945

Mbi shtetësinë e Çamërve dhe Kosovarëve

Kryeministrit Tiranë

Na ishin drejtuar disa prej Komiteteve Ekzekutive të qarqeve dhe na kërkojnë mejtimin se a mundet që t’u jepet shtetësia shqiptare Çamërve dhe Kosovarëve që kanë emigrue tani vonë në shtetin tonë dhe kjo ministri e pat ndalue një veprim të tillë. Tani që kemi pranue dhënien e shtetësisë atyre që kanë plotësue konditat ligjore, pyesim në se mun’t t’u jepet kësaj kategorie kjo e drejtë?

Lutemi mbi sa më sipër me na njoftue mënyrën e veprimit.

Vdekje Fashizimi-Liri Populli

Ministri

22.08.1945

Përgjigja e Enver Hoxhës

Ministrisë së Punëve të Brendëshme

Gjegje shkresës tuaj nr.498/2 datë 18.08.1945

Ju njoftojmë se Qeveria Demokratike Shqiptare tash për tash nuk mund të procedojë në dhënien e nënshtetësisë shqiptare asnjë të huaji, prej çdo origjine që të jetë.

Lutemi  lajmëroni organet tuaja që të mos pranojnë lutje të tilla deri në një lajmërim të dytë

Kryeministri