Thaçi e quan Kurtin “anti-amerikan” të moçëm, “gënjeshtar e frikacak”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi Kurtin e quan “gënjeshtar e frikacak”.
Tutje Thaçi thotë se Kurti “po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike” dhe shton se deklarimet e tij për “marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi” janë “fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në”.
Sipas tij Kurti qëndrimin “KUNDËR” SHBA-së, “e ka mbjellë në kohën e Konferencës së Rambujesë”.
“Ishte kundër administratës Klinton. Edhe në Vjenë, kundër administratës Bush. Edhe me demarkacionin me Malin e Zi kundër administratës Obama-Biden”, ka shkruar Thaçi, përcjell lajmi.net.
Postimi i plotë:
PËRPËLITJET E KURTIT
I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet.
Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës.
Përqesh dhe saboton shtetin.
Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin.
I padinjitet.
Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike.
Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi.
Qesharake për Kosovën.
Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në.
Rikujtoj:
Këtë qëndrim KUNDËR, Kurti e ka mbjellë në kohën e Konferencës së Rambujesë.
Ishte kundër administratës Klinton.
Edhe në Vjenë, kundër administratës Bush.
Edhe me demarkacionin me Malin e Zi kundër administratës Obama-Biden.
Edhe tash kur ofrohet një mundësi nga administrata e Presidentit Trump për njohje reciproke, Kurti përsëri kundër.
E vetmja konstante e Kurtit është të qenit në anën e kundërt të Amerikës.
Në anën e kundërt të historisë.
Populli i Kosovës ka besim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aleanca me SHBA-në është e shenjtë.
Ne të gjithë e kemi për detyrë ta mbrojmë. HTH /Lajmi.net/