THAÇI: Prapa partive të vogla qëndrojnë maqedonasit



Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Koha”, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, përveç dekorimimit nga Presidenti i Kosovës, flet edhe për fushatën parazgjedhore, ofertën e partisë së tij për shqiptarët si dhe si e sheh ardhmërinë e shtetit. Ai mes tjerash thekson se, pa ndryshimin e emrit, Maqedonia nuk mund të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s, ndërsa potencon se maqedonasit këtë duhet ta kuptojnë sa më parë… Thaçi ka folur edhe për aferën e përgjimeve, rastin e Kumanovës, si dhe problematika të tjera.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit mund t’i ketë të gjitha të këqijat, por ka një të mirë.
“Fryma e Marrëveshjes së Ohrit është metodologjia e punës që ne duhet të punojmë. Mirëpo, Marrëveshja e Ohrit, tash më 15 vjet, tregoi se nuk mund të realizohet. Me fajin e kujt? Po ta them këtë, prapë do të thonë se flet partiakisht. Kjo u tregua racionalisht se nuk funksionon. Ne duhet në Kushtetutë t’i ndërrojmë disa gjëra shumë të thjeshta. Mos të shkruhet “ata që janë mbi 20 për qind”, por të shkruhet “shqiptarë”. Kjo nëse bëhet, atëherë është e qartë se ky shtet, të gjitha vendimet nëpërmjet të një sistemi juridiko-kushtetues të ndryshuar duhet ti sjellë nëpërmjet vetes së dytë, shqiptarë – maqedonas…”, ka thënë Thaçi.
Numri një i PDSH-së Thaçi mes tjerash ka folur edhe për shpërndarjen e votës shqiptare që do të ndodhë në këto zgjedhje. Por cili është mendimi i tij:
“Na e bëjnë të tjerët. Maqedonasit. Ky është projekti i radhës… Më vjen keq. Nuk duhet të preket askush. Ndoshta dikush ka vetëdije në këtë projekt, prej këtyre partive të vogla. Por ju jeni dëshmitar se ky film luan pandërprerë. Përgatitet një palë zgjedhje opozita ta mund BDI-në, del një parti. Zgjedhjet tjera, prapë një parti. Kjo racionalisht është kundër opozitës shqiptare. Mendoj unë. Ndoshta ata mund të thonë…, por racionalisht është kundër opozitës shqiptare dhe racionalisht e parandalon fitoren e vërtetë të opozitës shqiptare. Unë e kam thënë se nuk kemi të drejtë askujt t’ia ndalojmë të merret me politikë, të angazhohet, dhe ajo është vlerë e demokracisë, por racionalisht këta i shërbejnë maqedonasve…”, ka thënë në bisedën për “Koha”, Thaçi.