Tragjedi në Kaçanik: 38-vjeçari shtypet për vdekje nga vetura që po riparonte

117
fresco

Një tragjedi ka ndodhur dje në Kaçanik, ku një burrë ka humbur jetën në rrethana tragjike teksa po riparonte veturën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se viktima është Orhan Bela rreth 38-vjeçar, i cili ndërroi jetë pasi u zë nga automjeti që e kishte ngritur me pajisjen për ngritje (dizhalicë).
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20, në rrugën “Hasan Prishtina”. Gjatë punës, vetura ka rrëshqitur nga mbajtësi dhe e ka zënë viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore, inspektori i punës dhe ekipi i QKMF Kaçanik, i cili e transportoi të lënduarin për në QKUK-Prishtinë, por për fat të keq, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Lidhur me rastin janë intervistuar disa dëshmitarë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Comments