Tregtarët në Tetovë: Do të ngelim në rrugë, nuk ka punë
Tregu i Gjelbër në qytetin e Tetovës sot kishte një pamje krejtësisht tjetër, edhe pse shumëllojshmëria e ngjyrave të pemëve nuk mungonte, njerëzit kishin vendosur të braktisin këtë treg. Një qytetar na tha se tashmë pemët dhe perimet i blen në shitore, për shkak se aty nuk ka grumbull njerëzish dhe ndjehet më i sigurt.
Një nga tregtarët na tha se është çështje ditësh kur ai do ta mbyll biznesit, për shkak se siç u shpreh ai prej kohës kur ka filluar përhapja e virusit korona, më shumë po humb se sa fiton.
“Nuk kam vullnet as të vij të punoj më, puna ka rënë tërësisht dhe të vetmit që blejnë janë disa të moshuar që vijnë në mëngjes kurse pas orës 14:00 nuk lëviz askush këndej. Nuk e di si do ja bëjmë me pagesën në fund të muajit, shpresojmë që shteti të na ndihmoje, përndryshe të gjithë ne do të përfundojmë në rrugë, pa asnjë të ardhur tjetër” tha njëri nga tregtarët.
Në kohën kur qytetarët më shumë se kurrë janë turrur ushqimeve me shumicë, kishte ankesa nga qytetarë se bizneset që ofrojnë produkte ushqimore kanë rritur çmimet e tyre kështu duke përfituar nga kjo situatë pandemie.
I pyetur nga Portalb.mk njëri nga tregtarët për këtë, ai e mohoi tërësisht duke u shprehur se të gjitha këto janë spekulime kurse rritje të çmimeve siç tha ai, mund të kenë bë shitoret por jo tregu i gjelbërt.
“Janë spekulime, çmimet nuk janë rritur madje disa edhe kanë rënë. Nuk e di pse dolën këto fjalë, ndoshta në shitore janë rritur çmimet por në treg jo sepse nuk ia vlen” tha një nga tregtarët.
Ndryshe, përveç mungesës së njerëzve në këtë treg vëreheshe edhe mungesa e mjeteve mbrojtëse nga ana e shitësve, disa nga ata nuk e konsideronin si të rëndësishme që të mbrohen nga ky virus duke përdorur mjete mbrojtëse. /portalb/