Trump: “I thash Putinit nëse e pushton Ukrainën, do të bombardoj Moskën”
Presidenti amerikan Donald Trump u tha donatorëve të mbledhur në një aktivitet privat në vitin 2024 se e kishte kërcënuar presidentin rus Vladimir Putin se do të “bombardonte Moskën” nëse ai do të pushtonte Ukrainën, sipas një regjistrimi audio të publikuar nga CNN.
“I thashë Putinit: ‘Nëse shkon në Ukrainë, do të bombardoj Moskën. Nuk kam zgjidhje tjetër’”, dëgjohet të thotë Trump në një regjistrim nga eventi i mbledhjes së fondeve, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se i kishte dërguar një mesazh të ngjashëm Presidentit kinez Xi Jinping, duke e paralajmëruar atë se SHBA-të do të bombardonin Pekinin nëse Kina pushtonte Tajvanin. “Ai mendonte se isha i çmendur”, tha Trump për Xi. “Por ne kurrë nuk patëm problem”, shtoi tutje ai.
Trump iu referua bisedave të tij me Putinin dhe Xi-në, ndërsa argumentoi se do të kishte shmangur konfliktet në Ukrainë dhe Gaza nëse do të ishte president në vend të Joe Bidenit – një pretendim që ai vazhdon ta përsërisë ndërsa tani përpiqet t’i japë fund të dy luftërave.
Të martën, Trump shprehu përsëri zhgënjimin me rezistencën e Putinit ndaj një marrëveshjeje paqeje, duke u ankuar se udhëheqësi rus po hidhte “shumë budallallëqe” ndaj SHBA-së.
“Nuk jam i kënaqur me Putinin”, tha ai gjatë një takimi të kabinetit. “Jam shumë i pakënaqur me të”.