Trumpi e kërcënon me arrestim kandidatin për kryetar të Nju-Jorkut, Zohran Mamdani
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një konference për gazetarë të martën e kërcënoi me arrestim kandidatin për kryetar të Nju-Jorkut, Zohran Mamdani, nëse ai i fiton zgjedhjet lokale në nëntor, disa orë pas fitores së tij në zgjedhjet paraprake.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në një tryezë të rrumbullakët për emigrimin në një objekt të ri të ndalimit në Florida, gjithashtu përsëriti një pretendim të pabazë se Mamdani kishte hyrë ilegalisht në ShBA dhe shprehu mbështetje për kryetarin aktual të Nju-Jorkut, Eric Adams, i cili po synon edhe një mandate, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Kur u pyet për planin e Mamdanit për t’i kundërshtuar veprimet e agjencisë për emigrantë dhe dogana në qytetin e Nju-Jorkut, Trumpi tha se, nëse kjo ndodh, administratës amerikane “do t’i duhet që ta arrestojë atë”.
“Ne do të duhet ta arrestojmë atë. Nuk na duhet një komunist në këtë vend, por nëse kemi një të tillë, unë do të jem duke e vëzhguar atë me shumë kujdes në emër të kombit” – paralajmëroi presidenti amerikan.
Mamdani tha më herët se bastisjet e autoriteteve kundër emigrantëve “po i terrorizojnë njerëzit” dhe se agjentët që i kryejnë ato nuk kanë interesim për ta ndjekur ligjin.
“Ne i dërgojmë atij para, ia dërgojmë të gjitha gjërat që i nevojiten për të drejtuar një qeveri” – shtoi Trumpi, duke e përsëritur kërcënimin e tij të mëhershëm se Mamdani duhet “ta bëjë gjënë e duhur” ose do t’i ndërpriten fondet federale.
“Shumë njerëz po thonë se ai është këtu ilegalisht. Ne do të shikojmë në gjithçka dhe në mënyrë ideale do të dalë që ai të jetë shumë më pak se një komunist, por tani për tani ai është komunist, që s’është socialist” – tha presidenti amerikan.
Mamdani është lindur në Ugandë, ka prindër indianë, ndërsa shtetas amerikan u bë në vitin 2018.
Trumpi shpesh i ka përdorur shtetësinë dhe emigrimin si armë për t’i sulmuar kundërshtarët e tij politikë. Ai disa herë ka pretenduar se ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është lindur në Kenia, dhe se ish-nënpresidentja Kamala Harris, të cilën e mposhti në zgjedhjet e vitit të kaluar, nuk i plotësonte kushtet e shtetësisë për të garuar për presidente./Nacionale/Nasuf Abdyli