Truss: Perëndimi duhet të “sakatojë” ekonominë ruse

251

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen përsëriti mbështetjen e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Ukrainës në BE, ndërsa vlerësoi lartë rezistencën që po i bënë agresionit rus, shkruan Alsat.

Ajo tha se qëllimi i BE-së është të ndërpresë kapacitetin e Kremlinit për të luftuar fqinjët e tij dhe paralajmëroi për “hapa shtesë nëse situata përkeqësohet në terren”.

“Nuk ka dyshim se këta njerëz të guximshëm që mbrojnë vlerat tona me jetën e tyre i përkasin familjes evropiane dhe në të vërtetë, Presidenti Zelensky dërgoi një letër për aplikimin e Ukrainës. Me këtë ai ka vënë një proces në lëvizje dhe kjo do të diskutohet me shtetet anëtare. Tani për tani, fokusi ynë është t’i japim fund kësaj lufte të tmerrshme. Dhe sigurisht, përpara se të fillonte kjo tragjedi, ne kishim lidhje shumë të forta ekonomike me Ukrainën. Ne jemi në këtë së bashku dhe do ta shoqërojmë Ukrainën në këtë proces, me vendosmëri, me unitet dhe solidaritet”, deklaroi Ursula Von Der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, thotë se Perëndimi duhet të “sakatojë” ekonominë ruse. Gjatë në fjalimi në Lituani me aleatët e NATO-s, Truss thotë se sulmet ruse janë një luftë që cenojnë të gjithë botën dhe jo vetëm lirinë e Ukrainës.

“Perëndimi duhet të sakatojë ekonominë ruse. Agresioni rus është një luftë jo vetëm për lirinë dhe vetëvendosjen e Ukrainës, por luftë për të gjithë lirinë dhe sigurinë tonë”, tha Liz Truss, Sekretare e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, tha të enjten se Japonia do të ngrijë asetet e konglomerateve financiare ruse, duke përfshirë oligarkët si sanksione shtesë ndaj Rusisë.

“Përveç ngrirjes së aseteve të presidentit rus Vladimir Putin dhe disa personelit rus, ne kemi vendosur të ngrijmë asetet e konglomerateve financiare ruse si oligarkët. Përveç marrjes së masave për të kufizuar transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë, unë kam marrë masat e brendshme të nevojshme sot për të eliminuar shtatë banka ruse nga SWIFT”, u shpreh Fumio Kishida, kryeministër i Japonisë./Alsat.mk

Comments