Turqia merr zyrtarisht drejtimin e KFOR-it

50
fresco

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Enrico Barduani, në një ceremoni zyrtare, të premten, ka dorëzuar udhëheqjen e KFOR-it, komandantit të sapoemëruar, Ozkan Ulutas.

Turqia është aktualisht një nga vendet kryesore që ofron mbështetje për misionin e KFOR-it. Ky shtet do të marrë komandantën nga Italia. Kjo është hera e dytë që një ushtarak turk do të komandojë KFOR-in që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Barduani, në fjalimin e tij të fundit si komandant i KFOR-it, ka theksuar se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 1999, por ka paralajmëruar për rreziqe të mundshme për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura.

Ai nënvizoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si kornizë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mbetura.

Ai shtoi se NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa KFOR-i po luan një rol aktiv në këtë proces.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu falënderime për angazhimin mbi dy dekadash të forcave të NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Osmani riafirmoi aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.

Osmani paralajmëroi gjithashtu për rreziqet nga ata që tentojnë të rrëzojnë arritjet e Kosovës.

“Përgjigjja jonë ndaj agresorëve dhe autokratëve duhet të jetë e vendosur. Vetëm përmes qëndrueshmërisë dhe qartësisë mund të mbrojmë paqen, stabilitetin dhe të ardhmen që të gjithë synojmë. Kosova do të qëndrojë gjithmonë krah aleatëve që ndajnë vlerat tona të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”.

Comments