
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vazhdimin e seancës së gjashtë debatoi për Propozim vendimin për dhënien e pëlqimit për aktet e përgjithshme të Avokatit të Popullit. Seanca vazhdon sot në orën 11.
Ombudsmani, Ixhet Memeti në elaborim theksoi se Ligji për Avokatin e Popullit nuk i realizoi në tërësi nevojat për pavarësinë financiare të këtij institucioni dhe as në të nuk janë vendosur rekomandimet e Pribesë.

Memeti tha se në Raportin e Pribesë ka pasur disa rekomandime kyçe të cilat do të mundësojnë përmirësimin e punës së institucionit Avokat i Popullit. Një prej rekomandimeve kryesore ka qenë vendosja e dënimeve për ata të cilët do ta pengojnë punën e Avokatit të Popullit por edhe formimi i ad hock komisioneve anketuese për lëndë dhe raste të cilat do t’i ngriste ky institucion.
Shtoi se Maqedonia akoma nga aspekti formalo-hurik nuk ka krijuar kushte që të ketë institucion nacional Avokati i Popullit i cili do të punojë me kapacitet të plotë për promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski pas fjalimit të Memetit kërkoi pauzë prej një ore që t’i shqyrtojnë stenogramet nga fjalimi. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dha pauzë. Pas përfundimit të pauzës pauzë të re kërkoi Zoran Ilioski i VMRO-DPMNE-së, që përsëri t’i shqyrtojnë stenogramet. Xhaferi pasi edhe një herë tjetër u kërkua pauzë nga deputetët e VMRO-DPMNE reagoi duke thënë se është i qartë qëllimi i VMRO-DPMNE-së me formimin e dhjetë grupeve të deputetëve dhe kërkimin e koordintaroëve të tyre pauzë dhe e ndërpreu seancën, ndërsa vazhdimin e saj e caktoi për sot në orën 11.
Paraprakisht deputetët e zgjodhën Spase Gligorov drejtor të Agjencisë për administratë.
Në rend dite të kësaj seance, midis tjerave, është edhe pika për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë, Marko Zvërlevski.