Vejseli: Amnisti për rastet e montuara, liri kombëtare
Partia për Prosperitet Demokratik mbrëmë ka përmbyllur tubimin e saj para simpatizantëve në Tetovë.
Bartësi i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, Abduladi Vejseli, ka potencuar se me ardhjen e PPD-së në qeveri do të hapë vende të reja të punës, do të ulë dukshëm papunësinë, dhe do t’i amnistojë të gjithë të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin pa të drejtë në burgjet e Maqedonisë dhe të gjithë para ligjit ai premtoi se do të jenë të barabartë, gjë kjo që nuk ka qenë deri më sot.
“Atë dashuri që keni në zemër për PPD-në, ktheni në votë më 11 dhjetor, jepjani votën PPD-së, forconi dhe faktorizoni PPD-në, sepse është e vetmja strukturë politike që mund t’i rrijë ballë kundërshtarit vërtet politik, për ta marrë pjesën tonë që na takon, për t’i dalë zot hises tonë, hises shqiptare… Fill pas marrjes së mandatit të PPD–së do angazhohemi t’i lirojmë burgjet e shqiptarëve dhe do kërkoj amnisti për gjithë të burgosurit, të amnistohen të gjithë shqiptarët që janë futur në burg me procese të montuara politike, siç është “Sopoti”, “Monstra”, “Lagjja e trimave”, mos e harrojmë edhe “Brodecin”. Dhe çështja e dytë është të sjellim lirinë kombëtare, mund të flasësh shqip, mund të dëgjohesh shqip dhe jo shqipen ta përdorësh në mënyrë të cunguar, po si e kanë lënë të parët, si e do tradita jonë. Ne premtojmë se do të hedhim varfërinë dhe do të parandalojmë fesatin, në shtëpinë tonë, në familjet tona, në fshatin tonë dhe fesatin mes shqiptarëve, me çka do angazhohemi të hapim vende të reja të punës për shqiptarët në RM. Ata që nuk do kenë mundësi të punësohen nga buxheti i RM-së, do marrin rrogë të barabartë si ata që punojnë”,- deklaroi kryetari i PPD-së, Abdulhadi Vejseli.
Vejseli më tej ka shtuar se pas ardhjes në pushtet, PPD-ja punën e parë që do bëjë do ua shlyejë borxhin e rrymës elektrike të gjitha familjeve në nevojë dhe këtë e ka dëshmuar edhe më herët dhe do ta dëshmojë edhe sot, por kjo të bëhet realitet ai kërkon mbështetje më 11 dhjetor për PPD-në.