Veliaj dhe Shilegov, angazhim për një impuls të ri bashkëpunimi

181

Drejtuesit e kryeqendrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Tiranës dhe Shkupit….

Drejtuesit e kryeqendrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Tiranës dhe Shkupit, angazhohen për një impuls të ri bashkëpunimi, njofton “TVM2”.

Kjo u tha në takimin e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj, me homologun e tij në Shkup, Petre Shilegov, me të cilin diskutoi mbi forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive për të sjellë sa më shumë lehtësira në shërbimin të qytetarëve.

Fryma e marrëdhënieve që kanë vendosur qeveritë e të dyja vendeve falë lidershipeve të reja, do të reflektohet edhe në marrëdhëniet në nivel bashkish, pasi vetëm në këtë mënyrë ato do të kishin impakt direkt te qytetarët, ka deklaruar me këtë rast Veliaj. Jam shumë entuziast për faktin që kryeministri Rama dhe kryeministri Zaev kanë filluar një erë të re të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por tani e kanë radhën qytetet, ka thënë Veliaj.

Derisa Shilegov tha se problemet janë të njëjta edhe në Shkup, edhe në Tiranë, kështu që, të gjitha eksperiencat, zbatimi i disa projekteve që Tirana ka ndërmarrë, mund t’i përdorim në shërbim të qytetarëve të Shkupit. Shilegov po qëndron në Tiranë si pjesëmarrës i konferencës dyditore me temë “Qytete të së ardhmes pa korrupsion”, që ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në nivel lokal.

“Një pjesë e madhe e popullsisë tonë në Shkup, në Tiranë, në Moldavi një pjesë të madhe të kohës e kalon duke ndenjur në radhë për të marrë një letër që dëshmon se ti je ti, që është certifikata. Dhe ajo që po bëjmë është që 70 dokumente, duke filluar nga janari, në Tiranë do të jepen në një kioskë”,- u shpreh kryetari i Tiranës, Erion Veliaj.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Comments