
Në mes të janarit nënkryetari i partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban nënshkroi ndalimin e tri OJQve të themeluara nga Fondacioni Soros organizatën e të drejtave të njeriut “Komiteti i Helsinkit”, Unionin hungarez “TASZ ” (Civil Liberties Union) dhe organizatën e antikorrupsionit Transparency International. Një projektligj është vendosur në axhendën e legjislativit për në pranverë. Qysh në vitin 2014 Orban nxiti edhe hetimet ndaj fondacioneve të financuara nga Norvegjia duke i deklaruar si “aktivistë politikë” të grupeve të shoqërisë civile, që financohen nga bota e jashtme. Shefi i pushtetshëm i kabinetit të Orbanit, Janos Lazar, një vit më parë pati përpiluar një listë të zezë duke renditur në të organizatat civile të cilësuara si “problematike”. “OJQtë janë ndër të paktat forca që ende kanë mbetur në Hungari, që janë në gjendje të bëjnë diçka në mbrojtje të demokracisë”, thotë drejtorja ekzekutive e organizatës “TASZ”, Stefania Kapronczay. Në një deklaratë “TASZ” e quan këtë qëndrim një “pikë kritike në fushatën e qeverisë kundër të drejtave të lirisë”, Kapronczay e cilëson këtë si një “putinizim të Hungarisë”. Në vitin 2015, prokurori i Përgjithshëm rus i deklaroi dy fondacione të Sorosit si “të padëshiruara”. Të prekura ishin fondacionet “OSI Assistance Foundation” dhe “OSF”. Të dyja këtyre organizatave u është ndaluar aktiviteti në Rusi. Këtë masë prokuroria e Përgjithshme e pati argumentuar se, fondacionet e Sorosit me aktivitetin e tyre rrezikojnë bazat e rendit kushtetues dhe sigurinë e Rusisë. OJQtë e vëna në shënjestër në Hungari mbështeten kryesisht nga “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur” (OSF) të miliarderit amerikanohungarez, George Soros. Ky i fundit dikur në fillim të viteve ‘90të u brohorit si një çlirimtar në Hungari. Duke ndihmuar rënien e komunizmit, duke siguruar makinat fotokopjuese për botimet e opozitës liberale Samizdat, ai mori përsipër themelimin e Universitetit prestigjioz të Evropës Qendrore në vendlindjen e tij në Budapest dhe e ktheu qytetin në një qendër rajonale për Fondacionet e tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) një rrjet i madh bashkëpunimi për mbi 60 OJQ në Hungari. Por qëkurse vizioni i kryeministrit hungarez, Viktor Orban po kërcënohej prej globalizimit të demokracisë liberale, Sorosi 86vjeçar u shpall persona non grata në Hungari dhe idealet e “Shoqërisë së Hapur” u vunë në shënjestër.