Vendimi për vulat, reagon Sela: Taravari, shërbëtor i sistemit
Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë për vulat e ASH-së, ka reaguar edhe krahu i Ziadin Selës.“Vendimi i sotëm i sistemit gjyqësor vetëm se konfirmoi atë që ne kemi thënë vazhdimisht, që Arben Taravari është shërbëtor i këtij sistemi të kapur që punon kundër shqiptarëve dhe kundër Aleancës për Shqiptarët. Në moment të fundit u ndryshua gjykatësi dhe nga shqiptar u vendos një maqedonas, e meqë kjo punë shkoj në dorë të një gjykatësi maqedonas, është e ditur se kënd e kanë ata në shërbim të tyre.
Të gjitha këto dëshmojnë se vendimi gjyqësor është politik, është atentat ndaj një partie politike shqiptare që për vite ishte faktor kryesor në skenën politike në vend dhe mbrojtës i fuqishëm i kauzës kombëtare shqiptare. Ne do ta ankimojmë në Gjykatën e Apelit këtë vendim dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të luftuar e për të ruajtur shtëpinë tonë që u themelua dhe u ngrit me sakrificë, por edhe me gjak, me mund e me djersë, të themeluesve dhe aktivistëve, të gjithë atyre shqiptarëve me të cilët ndajmë të njëjtat ideale”, thuhet në reagimin e ASH-së së Ziadin Selës

