Veseli për zgjedhje, Mustafa kundër

120
Veseli për zgjedhje, Mustafa kundër

Moebel THEMA

veseli mustafaKryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, duket se e ka seriozisht kur thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse merren vesh të gjitha partitë politike. 

Por, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë një reformë të shpejtë dhe një rikonstruktim të politikave në agjendën e saj për ekonominë dhe integrimin në Bashkimin Evropian, shkruan sot gazeta “Zëri”.

“Në rend të parë Kosovës i nevojitet një riformatizim i shpejtë dhe një ristrukturim i politikave në agjendat, të cilat kanë të bëjnë në ekonominë dhe integrimin drejt BE-së. Por në zgjedhje shkojmë kur të merremi vesh bashkërisht, pozitë dhe opozitë”, ka thënë Veseli, derisa ka vlerësuar se koalicioni qeverisës është stabil, madje mund të qëndrojë shumë mirë dhe në mënyrë korrekte deri në vitin 2018 kur janë zgjedhjet sipas ligjit dhe Kushtetutës.

“Kemi komunikim jashtëzakonisht parimor me partnerin e koalicionit. Ne jemi duke u munduar që të shtensionojmë situatën, të lëvizim përpara, jo me çdo kusht të lëvizim deri më 2018 vetëm se dëshirojmë të qëndrojmë në pushtet dhe t’i tregojmë njeri-tjetrit se ne mund të qëndrojmë në pushtet”, ka thënë kreu i Kuvendit, duke ua rikujtuar opozitës se me qëndrime të tilla, nuk do të mund të vijnë në pushtet edhe një kohë të gjatë.

“Ata po duan me çdo kusht të na thonë ju jeni tradhtarë, ju keni gabuar, pranojeni tash. Kush janë ata të na thonë tradhtarë? Cili është kriteri i tyre? Ata e kanë gabim dhe gjithmonë do ta kenë gabim dhe do të qëndrojnë në opozitë edhe 50 vjet, në qoftë se nuk e ndërrojnë qasjen ndaj qytetarëve”, ka thënë Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u caktua që të enjten të mbahet seanca plenare.

Por, ndryshe mendon kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili është edhe lider i LDK-së. “Zgjedhjet e reja janë në vitin 2018, ndërsa ato lokalet janë vitin e ardhshëm. Jemi duke punuar me përkushtim në punë të tjera”, ka thënë Mustafa, duke mohuar se mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Comments