(VIDEO) Për dy vjet Prokuroria Speciale nuk arriti të procedojë “Monstrën” dhe “Sopotin”

184
fresco

Përfundimisht skadoi afati i Prokurorisë Speciale Publike gjatë të cilit kjo prokurori mund të hapte raste të reja. Kjo ishte paraparë që nga themelimi i kësaj prokurorie, ku thuhej PSP mund të hapë lëndë në afat prej 2 viteve që nga marrja e materialeve. E materialet, kjo prokurori i morri pikërisht me datë 1 korrik të vitit 2015. Ndonëse ishte kërkesë e kësaj prokurorie që të zgjatet mandati i saj, kjo nuk ndodhi pasi Qeveria e mëparshme e përbërë nga partnerët VMRO-BDI, nuk arriti që të miratojë ligjin e ri për Prokurorinë Speciale Publike që parashihte zgjatjen e mandatit.

Sidoqoftë, gjatë periudhës sa ka funksionuar PSP-ja, ka arritur të hapë 20 lëndë, por deri më tani nuk ka futur asnjë funksionar prapa grilave. Në përgjithësi, opinioni mirëpriti formimin e Speciales, por me hapjen e lëndëve të para, opinioni e kishte të qartë se ajo do të përballet me sfida të mëdha. Si pasojë, ekspertët dhe parti të caktuara politike kërkonin themelimin e një reparti special në kuadër të sistemit gjyqësor të Maqedonisë, kërkesë e cila asnjëherë nuk u realizua.

Në ndërkohë, në çdo hulumtim të opinionit publik, PSP-ja gëzonte mbështetje dhe besim maksimal tek popullata shqiptare. Në masë të madhe, kjo kishte të bënte me zbardhjen e rasteve të dyshimta, siç janë rastet “Monstra”, “Sopoti” apo “Brodeci”. Paraprakisht, ishin zhvilluar protesta masive ndaj vendimeve të gjykatës për këto raste, duke shfaqur mosbesim ndaj vendimeve të gjyqësorit, andaj formimi i Speciales fillimisht shihej si një shpresë e madhe. Mirëpo, Prokuroria Speciale nuk hapi lëndë për këto raste, duke sjellë edhe zhgënjim tek shqiptarët.

Rasti i parë të cilin e hapi Prokuroria Speciale, “Titanik”, kishte të bëjë me dyshime për manipulime dhe vjedhje zgjedhore, ku si të dyshuar mes tjerash figuronin edhe Ish ministrat Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska, dhe kryetari i Këshillit zgjedhor të Çairit, Ismet Gurri,

midle

Pasoi rasti “Tortura”, që kishte të bënte me arrestimin e Lube Boshkovskit, ku ish shefi I DSK-së, Sasho Mijallkov dyshohej se e ka urdhëruar, ndërsa udhëheqësi I atëhershëm I alfave, e ka realizuar arrestimin e Boshkovskit.

Rastet “Fortesa” dhe “Thesari”, kishin të bënin me shkatërrimin e pajisjeve për përgjim brenda MPB-së, respektivisht me keqpërdorimet e parave gjithasthu në kuadër të MBP-së.

Ndër rastet më të përfolura në opinion, ishin edhe rasti me “Shuplakat” e porositura ndaj Zhernovskit, ku si I akuzuar figuronte ish kryeministri Nikolla Gruevski. Pastaj rasti Target, ku PSP synonte të tregojë se kush-kë ka përgjuar, por edhe rasti “Talir”, ku bëhej fjalë për financimin e VMRO-DPMNE-së. Përpos këtyre, gjatë kësaj periudhe u happen edhe rastet “Target”, “Transportuesi”, “TNT”, “Toplik”, “Tenderat”, “Tanku”, “Tarifa”, “Trust”, “Tabela”, “Treqind”, “Total”, “Tifani”, “Traektorja” dhe “Lëndina”.

Një gjë e përbashkët për të gjitha rastet që i ka iniciuar Prokuroria Speciale, është se në emërtimet origjinale në gjuhën maqedonase fillojnë me shkronjën T.

Comments