Shkëndija do të luajë si mysafire me Skopjen në kuadër të xhiros së 25-të në LPFM, duke u rikthyer pas pauzës dy javore shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese.
I pari me të fundit gjithmonë vëndon liderin në rolin e favoritit, mirëpo futbollistët kuqezi janë të vetëdishëm se i pret detyrë e vështirë në fushë të Skopjes. Fitorja në Autokomandë të Shkupit ka rëndësi të madhe për të ruajtur distancën prej 16 pikëve para Vardarit të vendit të dytë, ndërsa me triumf Skopjes do t’i ndalej seria pozitive në pranverë dhe shanset për mbijetesë sërish do të merrnin goditje të madhe. Në fakt Skopje dukej në situatë të vështirë dhe thaujse udhëtues i sigurtë drejt Ligës së Dytë, mirëpo ecuria shumë e mirë në pranverë ka ringjallur shpresat se mbase mund të sigurohet mbijetesa. Tingëllon çuditshëm, por pas Shkëndijës në pranverë pikërisht Skopje ka ecurinë më të mirë në kampionat dhe xhiroja e 25-të përplas ekipet e vetme që nuk njohin disfatën në vitin 2018. Kuqezinjtë vijnë me seri impresive prej 5 fitoreve me rradhë pa gol të pranuar, ndërsa do të ketë përballë Skopjen që në 6-të përballjet pranverore numërojnë dy triumfe dhe katër barazime, duke pranuar vetëm një gol në barazimin 1:1 me Renovën në fushë të tyre.
Kuqezinjtë kanë shfrytëzuar mirë pauzën dyjavore në kampionat për të pushuar, ndërsa me kthimim e reprezentuesve (Musliu, Radeski, Totre dhe Fazllagiç) stafi teknik dy ditët e fundit finalizoi përgatitjet për këtë sfidë. Shkaku i lëndimit jashta listës së futbollistëve të grumbulluar kanë mbetur Ferhan Hasani dhe Alma Wakili, ndërsa pasi pauzuan shkaku i kartonave (nga 5 kartona të verdhë) në ndeshjen e fundit me Sileksin, në skuadër kthehen Ardian Cuculi dhe Armend Alimi. Pikërisht numri ‘5’ ka folur para kësaj sfide duke vlerësuar kundërshtarin.