Vjosa Osmani konfirmon se sot takohet me Albin Kurtin
Nënkryetarja e LDK-së e kandidatja e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se sot do të takohet me liderin e VV-së, Albin Kurti, raporton Gazeta Express.
Për sot është paralajmëruar një takim në mes të liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa dhe kandidaten për kryeministre nga kjo parti Vjosa Osmani.
Edhe pse nuk është bërë e ditur se ku do të mbahet ky takim, në selinë e LDK-së ka arritur Osmani, e cila doli e dyta në zgjedhje pas liderit të VV-së Albin Kurti.
Më pas Osmani është parë duke dalë nga selia e LDK-së, e shoqëruar nga Lumir Abdixhiku.
Osmani e pyetur nga T7 tha se është duke shkuar në një takim me një delegacion gjerman.
E pyetur se a do mbahet takimi ashtu siç është thënë sot me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me të cilin pritet të diskutojnë rreth një koalicioni të mundshëm, ajo tha se takimi do të zhvillohet më vonë.
Takimi i Kurtit me krerët e LDK-së është paralajmëruar pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilat e nxjerrin parti të parë Vetëvendosjen, ndërsa LDK-në të dytën.
Një koalicion qeverisës mes këtyre dy partive është i mundshëm pasi që këtë e ka paralajmëruar dje edhe Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook. /GazetaExpress/