VLEN: BDI-ja nuk është një parti e reformuar, por një grupacion që manipulon me ndjenjat kombëtare
BDI-ja nuk është një parti e reformuar, por një grupacion që manipulon me ndjenjat kombëtare dhe aspiratat evropiane të popullit shqiptar për interesat e veta personale dhe të ngushta partiake. Kjo u theksua në konferencën e sotme për shtyp nga deputetja e VLEN-it, Merita Kollçi Koxhaxhiku.
“Bujar Osmani pranoi se ka pasur takime me Nikola Gruevskin në Budapest. Këto ditë jemi dëshmitarë të një rrëfimi skandaloz nga Bujar Osmani, një njeri që ka keqpërdorur besimin e shqiptarëve për më shumë se dy dekada. Ai refuzoi publikisht të mohojë, gjegjësisht konfirmoi se është takuar me Nikola Gruevskin, një të arratisur dhe person në listën e zezë amerikane, theksoi Kollçi Koxhaxhiku.
Njëherit, i parashtroi disa pyetje Bujar Osmanit.
“Që kur takimet e një ministri të Punëve të Jashtme me individë nga lista e zezë amerikane janë klasifikuar? A janë raportuar këto takime në Prokurorinë Publike dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme? Cili është interesi pas këtij komunikimi sekret?, pyeti deputetja.
Ajo theksoi se shqiptarët presin përgjigje, jo heshtje.
“Kujtojmë. Ndihma për arratisjen e Nikola Gruevskit ishte vepër e BDI-së. Ligji për amnisti për Mijalkovin dhe ekipin e tij ishte vepër e BDI-së. Ne e kuptojmë të gjithë këtë si dëshpërim të një elite të korruptuar që e di se koha e saj po mbaron, nënvizoi Kollçi Koxhaxhiku.
Ajo në konferencë për shtyp tha se BDI-ja e ka shndërruar politikën në treg dhe biznes, kurse shqiptarët në pengje të marrëveshjeve të tyre me refugjatët dhe kriminelët.
“VLEN është këtu për të kthyer politikën e pastër, për të siguruar transparencë dhe për t’i dhënë fund kësaj hipokrizie. Qytetarët meritojnë përgjegjësi, jo marrëveshje të fshehta me njerëz që grabitën shtetin”, theksoi Kollçi Koxhaxhiku.

