VLEN hapi shtabin zgjedhor në Çair, liderët me porosi
Çair – Koalicioni VLEN ka hapur zyrtarisht shtabin zgjedhor në Komunën e Çairit, në një tubim që mblodhi mijëra qytetarë. Në këtë ngjarje, kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës, Izet Mexhiti, deklaroi se përkrahja e qytetarëve është tregues i qartë se më 19 tetor do të vuloset fitorja.
Udhëheqja e shtabit i është besuar Besim Kokës, i cili pritet të koordinojë fushatën dhe aktivitetet në terren. Sipas Mexhitit, shtabi do të jetë qendra e komunikimit me banorët e Çairit dhe vendi ku do të prezantohen projektet për investime, përmirësimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e komunës.
Kandidati për Komunën e Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, mbajti një fjalim optimist në hapjen e shtabit të tyre zgjedhor. Ai theksoi se Çairi ka shpërthyer me energji dhe është gati të shkojë drejt fitores më të madhe, raporton SHENJA.
Mexhiti falënderoi ekipin e punës dhe uroi që kjo atmosferë pozitive të vazhdojë duke elaboruar programin dhe vizionin e tyre bashkë me bartësin e listës, Muamed Murtezin.
Ai theksoi gjithashtu se VLEN po hapet dhe po sjell vlera të reja, duke përmendur emra të rëndësishëm si Muamed Murtezi, kandidati për kryetar të Haraçinës, Daut Beqiri, dhe kandidatin në Strugë që bashkëpunon me Lëvizjen Arbëria. Sipas Mexhitit, VLEN është një lëvizje që përfaqëson shqiptarët dhe do të vazhdojë të zgjerohet edhe më tej.
Kasami: Izeti është kandidati i vetëm i denjë për Çairin
Në hapjen solemne të shtabit zgjedhor në Çair, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u bëri thirrje qytetarëve – burra e gra, të rinj e të reja – që të angazhohen në çdo lagje dhe të përkrahin kandidatin që, sipas tij, është i vetmi i denjë për kryetar të Çairit, Izet Mexhitin.
Kasami theksoi se mesazhi i tyre duhet të jetë i qartë: “Për Çairin ka vetëm një kandidat fitues.”
Duke iu referuar kundërshtarit politik, ai shtoi: “Kandidati tjetër, Bujar Osmani, mund të bëjë gjithçka, por jo të udhëheqë Çairin. Këtë e di më së miri vetë Bujari, i cili është futur në këtë garë.”
Sipas Kasamit, bindja për fitoren e Izet Mexhitit në zgjedhjet lokale është e palëkundur.
Ibrahimi: Nuk do të lejoj që Izetin ta fitojë dikush me telekomandë nga Zajazi
Kryetari i Alternativës, njëherësh njëri nga liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, gjatë fjalimit të tij në haojen e shtabit zgjedhor në Çair, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbrojtjes së interesave të banorëve të Çairit.
Ibrahimi pranoi se gjatë viteve të fundit kanë ekzistuar dallime të mëdha dhe beteja politike që i kanë ndarë përkohësisht në anë të kundërta. Megjithatë, ai rikujtoi një mësim të vlefshëm nga Faik Konica, i cili njëherë i tha Ahmet Zogut: “Sa flasim mes vete, unë jam kundërshtari yt, por për të tjerët unë jam mbrojtësi yt.” Ky mesazh nënvizon se pavarësisht mosmarrëveshjeve të brendshme, në ballafaqim me sfidat e jashtme duhet të qëndrohet të bashkuar.
“Unë dhe Izet Mexhiti flasim për të ardhmen e Çairit dhe punojmë për mirëqenien e qytetarëve,” tha Ibrahimi. Ai shtoi me forcë se nuk do të lejojë që dikush të përdorë “telekomandë nga Zajazi” për të influencuar apo kontrolluar vendimet dhe fitoret politike në Çair. “Kjo nuk ndodh asnjëherë,” theksoi ai, duke bërë të qartë se mbrojtja e interesave lokale do të jetë prioritet i pandryshueshëm dhe se ndërhyrjet e jashtme nuk do të kenë vend në proceset politike të lagjes.
Qoku: Me Izet Mexhitin po kthejmë dinjitetin dhe drejtësinë për qytetarët
Në hapjen e shtabit zgjedhor në Çair, Bekim Qoku theksoi dallimin mes dy llojeve të elitave politike: ato që pasurohen në kurriz të qytetarëve dhe ato që punojnë për interesin publik, raporton SHENJA. Ai tha se 23 vite pushtet janë përdorur për përfitime personale, ndërsa tani është koha për një kthesë me liderë si Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Zeqirija Ibrahimi e Arben Fetai, përmes koalicionit VLEN.
“Janë dy lloj elitash politike. Një elitë që pasuron vetveten dhe punon për interesa personale, familjare dhe një elitë politike që punon për qytetarët. Ne kemi zhvesh nga pushteti 23 vjeçarin që ka punuar vetëm për veten dhe pasurimin e vet. Ne mundohemi që të bëjmë këtë kthesë me Izet Mexhitin, me Bilall Kasamin, me Zeqirija Ibrahimin, me Arben Fetain, me VLEN-in në përgjithësi, që ta kthejmë dinjitetin e qytetarëve dhe të punojmë për interesat e tyre”, deklaroi Qoku.
“Izet Mexhiti mishëron heroin që nuk pranon pabarazinë dhe është simbol i revoltës,” u shpreh Qoku.

