VLEN: Shkupi dhe Çairi po pastrohen!
Pas aksionit të mbrëmjes së djeshme për pastrimin e Shkupit, kanë reaguar nga koalicioni VLEN. Nga ky koalicion thonë se “po pastrohen rrugët, por mbi të gjitha po hiqen pasojat e viteve të bllokadave dhe të moskujdesit që vinin nga pushteti i qytetit ndaj çairasve”.
“Pas muajsh kur Shkupi u mbyt në erë të keqe, mbeturina, neglizhencë dhe propagandë, nisi pastrimi i vërtetë i kryeqytetit dhe i Çairit. Jo vetëm i rrugëve, por i gjithë asaj mendësie që për vite e kishte lënë qytetin në kaos. Ajo erë që vinte nga kontejnerët ishte e njëjtë me erën që vinte nga zyrat e pushtetit të djeshëm, pushtet që bllokonte, vidhte dhe nuk kujdesej për askënd, përveç vetes. Më 19 tetor dhe 2 nëntor, qytetarët e Shkupit i dhanë fund kësaj epoke të ndotjes politike. E rrëzuan bashkëqeverisjen e dështuar mes Arsovskës, Blerim Bexhetit dhe Levicës, një treshe që la pas baltë, borxhe dhe qytet të mbytur në kaos. Ata që deshën ta dëmtojnë Shkupin, veçanërisht Çairin, sot po e shohin se qyteti paska mundur të pastrohet dhe po pastrohet përnjëmend, pa ta. Sot, Çairi me Izet Mexhitin në krye po merr frymë lirshëm”, thonë nga VLEN.

